Botë

Gjykata vendos: Agjentët sekretë britanikë mund të vrasin, kidnapojnë e torturojnë

Foto: Reuters / ilustrim

Shërbimi i brendshëm i inteligjencës britanike, MI5, mund t’i autorizojë agjentët e vet për t’u përfshirë në aktivitete kriminale, që mund të përfshijnë edhe vrasje, kidnapime dhe torturë, ka vendosur një gjykatë e Londrës, tani kur qeveria e re e kryeministrit Boris Johnson po përgatitet për të rregulluar ligjet e spiunazhit.

Gjykatësit në Tribunalin e Fuqive Hetuese kanë mbështetur në shumicë vendimin që MI5 ka të fuqinë t’ua lejojë informatorëve të operojnë nëpër grupe kriminale, edhe nëse vetë politika nuk përmban imunitet ligjor. Rasti është përqendruar në fuqitë që u zbuluan vetëm vitin e kaluar nga kryeministrja e atëhershme, Theresa May, raporton “Bloomberg”.

“Ky rast ngre një nga çështjet më të thella me të cilat mund të përballet një shoqëri demokratike e qeverisur nga sundimi i ligjit”, ka thënë gjykatësi Rabinder Singh gjatë vendimit, transmeton Koha.net.

Vendimi vjen në kohën kur Johnsoni po kërkon t’i përtërijë ligjet dhe për t’i harmonizuar ata me ligjet e SHBA-së për të luftuar spiunët, sabotuesit dhe hakerët që punojnë për shtete të huaja si Rusia, Koreja Veriore dhe Irani. Gjykatësi tha se nëse ia ndalojmë agjencisë MI5 t’ua lejojë agjentëve të vet të futen nëpër organizata kriminale “kjo do të ishte një goditje në bërthamën e aktiviteteve të Shërbimit të Sigurisë”.

Tribunali ka cituar udhëzimet e vet agjencisë për agjentët që thotë se autorizimi “do të jetë shpjegimi i shërbimit dhe arsyetimi i vendimit të tij”, nëse veprimtaritë e agjentit do të shqyrtoheshin nga policia ose autoritetet e tjera të prokurorisë.

Grupe për të drejtat e njeriut, përfshirë “Reprieve”, kanë kërkuar nga gjykata që të ndalohen “veprimet e paligjshme të agjentëve”. Kërkesa u refuzua me vota 3-2.

“Përdorimi i agjentëve të fshehtë është një mjet thelbësor për MI5 pasi kryen punën e tij për të mbajtur vendin të sigurt”, tha një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme britanike.