Botë

Gjykata e Hagës heton krimet e pretenduara të luftës në territorin palestinez

Descriptive Text

Kryeprokurorja e Gjykatës Penale Ndërkombëtare ka bërë të ditur të premten se do ta nisë hetimin e plotë të krimeve të pretenduara të luftës në territoret palestineze, menjëherë pasi që të krijohet juridiksioni i kësaj gjykate.

Njoftimi i gjykatës në Hagë e hap mundësinë për ngritjen e padive kundër izraelitëve apo palestinezëve.

Autoritetet palestineze e përshëndetën vendimin, teksa kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, shteti i të cilit ka pushtuar Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës gjatë luftës së vitit 1967, ka thënë se Tribunali nuk ka juridiksion për të bërë hetime në territoret palestineze.

Kryeprokurorja e Gjykatës, Fatou Bensouda, ka thënë se ekzaminimet preliminare për krimet e pretenduara të luftës, të hapura më 2015, kanë ofruar informata të bollshme që i përmbushin të gjitha kriteret për hapjen e hetimeve.

“Krimet e luftës janë apo po kryhen në Bregun Perëndimor, përfshirë Jerusalemin Lindor dhe Rripin e Gazës”, ka thënë Bensouda.

Ajo ka thënë të ketë paraqitur një kërkesë para gjykatësve për nxjerrjen e një vendimi gjyqësor, për shkak të statusit të kontestuar legal të territoreve palestineze, raporton Reuters, transmeton Koha Ditore. “Në veçanti, kam kërkuar konfirmimin se ‘territori’ në të cilin gjykata mund të ushtrojë juridiksionin e tij, dhe të cilin mund ta paraqesë si subjekt për hetime të përfshijë Bregun Perëndimor, bashkë me Jerusalemin Lindor dhe Gazën”, ka thënë ajo.

Përcaktimi se ku mund të ndërmerren hetimet duhet të bëhet para se ajo t’i nisë hetimet “dhe jo të zgjidhet më vonë nga gjykatësit, pasi që hetimet të përmbyllen”, ka thënë ajo.

Se kur mund të merret ky vendim ende nuk dihet, por Bensouda ka thënë t’i ketë kërkuar gjykatës që “të vendosë sa më shpejt” dhe të mundësojë që viktimat potenciale të marrin pjesë në këtë proces.

“Palestina e përshëndet këtë hap, si veprim të vonuar që çon drejt hapjes së hetimeve, pas pesë vjetëve të gjatë dhe të vështirë të ekzaminimit preliminar”, ka njoftuar Autoriteti palestinez, një trup ky i vetëqeverisjes së limituar në Bregun Perëndimor të okupuar nga Izraeli.

Ministri i Jashtëm palestinez, Riyad al-Maliki, ka thënë se vendimi i gjykatës përbën “një ditë të errët në historinë e Izraelit”.

Netanyahu tha se gjykata nuk ka juridiksion për rastin.

“Gjykata ka juridiksion vetëm për peticionet që dërgohen nga shtetet sovrane. Por shtet palestinez kurrë nuk ka pasur”, ka thënë ai.

Tribunali i Hagës ka autoritet që t’i dëgjojë rastet e krimeve të luftës, gjenocidit dhe krimeve kundër njerëzimit të kryera në territoret e 123 shteteve të botës, që kanë marrëveshje të nënshkruara me të. Izraeli nuk ka ujdi të tillë teksa Autoriteti palestinez ka.

Prokurorët e gjykatës kanë bërë të ditur në dhjetor se hetimi preliminar i kryer në Bregun Perëndimor ishte përqendruar në “aktivitetet e raportuara që lidhen me kolonitë nga autoritetet izraelite”.

Palestinezët dhe shumë shtete të botës i konsiderojnë këto koloni si ilegale, bazuar në Konventën e Gjenevës, e cila i ndalon ndërtimet e tilla në një tokë të zaptuar me luftë, përcjell Koha Ditore. Izraeli e konteston një gjë të tillë, duke përmendur nevojat e sigurisë dhe lidhjet biblike, historike dhe politike me territorin.

Zyra e prokurorit ka shqyrtuar po ashtu pretendimet për shkeljet izraelite në Gazë, si dhe ato se shërbimet palestineze të sigurisë në Bregun Perëndimor kanë ndërmarrë tortura dhe të pagesave që autoritetet palestineze u kanë bërë familjeve palestineze të përfshira në sulmet ndaj izraelitëve.