Botë

Kirurgu francez dyshohet të ketë përdhunuar e keqpërdorur seksualisht 349 fëmijë

Foto: Letelegramme / ilustrim

Një kirurg i pensionuar francez mund të ketë përdhunuar apo abuzuar seksualisht deri në 349 fëmijë gjatë karrierës së tij gati 30 vjeçare, ka thënë një prokuror që po heton atë që mund të jetë rasti më i madh i pedofilisë në Francë.

Joel Le Scouarnec, 68 vjeç, pritet të dalë para gjykatës në mars nën akuzat për përdhunim dhe abuzim seksual me katër viktima fëmijë, raporton AFP.

Pretendimet kundër tij mbulojnë tri dekadat gjatë të cilave ai kishte ushtruar profesionin e tij në disa pjesë të Francës, transmeton Koha.net.

Aty përfshihen akuza se ai ka përdhunuar një vajzë gjashtë vjeçare që ka jetuar në lagjen e tij, se e ka përdhunuar një të afërme të re dhe e ka sulmuar seksualisht një tjetër, ka abuzuar me një pacient fëmijë dhe se është ekspozuar në mënyrë të pahijshme.

Pas ngritjes së akuzave kundër tij për këto raste, hetuesit kanë zbuluar ditarë sekretë në të cilët Le Scouarnec përshkruante skena seksuale ku përfshihen shumë më shumë fëmijë.

Fëmijët ishin me emra, që ia ka mundësuar policisë t’i gjejë dhe t’i marrë dëshmitë e tyre, duke çuar kështu në akuza të reja ndaj tij.

Avokatët e Le Scouarneces kanë thënë se shkrimet në ditarë ishin “fantazi”.

Të premten, Laureline Peyrefitte, kryeprokurore e qytetit Lorient në Brittany, në veriperëndim të Francës, tha se numri i viktimave të mundshme tani shkon në 349.

Në shumë raste, krimet e supozuara ishin kryer shumë kohë më parë për t’u ndjekur penalisht.

Në total, 229 janë marrë në pyetje nga hetuesit, nga të cilët 197 kanë ngritur padi, ka thënë Peyrefitte, duke shtuar se rasti është bërë “i jashtëzakonshëm” nga mënyra se si janë zbuluar krimet dhe nga fakti i numrit të madh të viktimave të dyshuara.

Një avokate për disa prej viktimave të supozuara, Francesca Satta, i ka thënë AFP-së se “ata i kujtojnë shumë mirë përjetimet por kurrë s’kanë folur për to sepse kanë pasur frikë”.

Le Scouarnec ishte dënuar me katër muaj burgim me kusht më 2005 për posedim të pornografisë me fëmijë.

Doktori i pensionuar rrezikon dënim me burgim deri në 20 vjet nëse shpallet fajtor ndaj akuzave të para, për çka do të gjykohet në qytetin jugperëndimor të Saintes nga 13 deri më 17 mars.

Aktualisht ai është në burg, duke pritur seancën.