Botë

BBC: A po bëhet Holanda një narko-shtet?

Foto: Reuters

Është një pyetje e shtruar edhe më parë, por këtë radhë e ngre gjigandi mediatik BBC.

Shkrimi i Anna Holligan nis me rrëfimin e kryetarit të sindikatës më të madhe policore në Holandë, Jan Struijs.

“Ne kemi padyshim karakteristikat e një narko shteti”, thotë ai. “ Sigurisht, nuk jemi Meksika. Nuk kemi 14.400 vrasje. Por nëse shikoni infrastrukturën, paratë e mëdha të fituara nga krimi i organizuar, ekonominë paralele. Po, ne kemi një narko-shtet”.

Fjalët e tij jehojnë në një shoqëri që është tronditur nga një vrasje e cila shkoi përtej “flluskës së jetës së nëndheshme kriminale”. Plumbat që i morën jetën të Derk Wiersum shkatërruan një konceptim të gabuar, që këtu është gati i pazakontë, thotë BBC: atë që kartelet e drogës vetëm vrasin vetëm “të vetët”, transmeton Tch.

44 vjeçari, baba i dy fëmijëve u qëllua për vdekje përpara gruas së tij pranë shtëpisë së tyre në Amsterdam në muajin shtator. Wiersum ishte avokat i një dëshmitari të prokurorisë Nabil B, i cili ishte kthyer në person kyç të çështjes kundër dy prej të dyshuarve më të kërkuar të Holandës.

“Vrasja e tij në mes të ditës, në një lagje tejet të qetë, u pa si sulm ndaj shoqërisë civile, demokracisë dhe sundimit të ligjit. Kjo u bë që të na frikësonte të gjithëve”, paralajmëroi prokurori publik Fred Westerbeke.

“Por ne duhet të vazhdojmë të përdorim dëshmitarët kryesorë përndryshe nuk do të bëjmë dot përpara”, shtoi ai.

Një listë e gjatë incidentesh është dëshmi e brutalitetit të përshkallëzuar.

Dy djem të rinj u vranë pak kohë më parë gjatë një shkëmbimi zjarri me kallashnikov, që i bëri shoshë me plumba edhe muret pranë tyre; një nënë u vra para fëmijëve të saj; një kokë e prerë u gjet përpara një kafeneje; vrasja e vëllait të një dëshmitari kyç, Reduan B, dhe vrasja e juristit Wiersum.

Ka nisur të dëgjohet gjithmonë e më shumë përkufizimi “Mocro Mafia”, thotë BBC, që është gjuhë e rrugës: të rinjtë marokenë e thërrasin njëri tjetrin “Mocro”. Megjithatë nuk janë vetëm marokenët të përfshirë në këtë valë krimi; ka dhe të rinj të rritur në zona të Amsterdamit, ku turistët nuk shkojnë kurrë, vazhdon shkrimi. Edhe përpara vrasjes së Wiersum, një raport i kryebashkiakut të Amsterdamit në muajin gusht e përshkruante kryeqytetin holandez si “ parajsën e kriminelëve të drogës”.

Image