Botë

Megaoperacion në Itali, ndër 334 të arrestuar edhe politikanë, biznesmenë, avokatë...

Gjatë një operacioni të madh të zhvilluar sot në Itali, policia e ROS ka vënë në pranga 334 persona, mes të cilëve, politikanë, avokatë, financierë, zyrtarë të shtetit dhe biznesmenë si dhe u sekuestrua pasuri me vlerë 15 milionë euro, transmeton "Koha Jonë" raportimet.

Mes të arrestuarve është edhe ish deputeti i ‘Forza Italia’, Giancarlo Pittelli.

Mega operacioni është në vazhdën e një hetimi që zgjati disa vite dhe që u zhvillua në disa rajone të Italisë si në Kalabri, Campagna, Emilia Romagna, Toscana, Lombardi, Veneto, Piemonte etj, ku ‘Ndragheta’ ka zonat e saj të influencës.

Në kuadër të operacionit, disa prej të arrestuarve u vunë në pranga në Gjermani dhe Zvicër.

Në operacion morën pjesë më shumë se 2500 forca të karabinierisë.

Policia Italiane ka deklaruar se operacioni është ndër më të mëdhenjtë të zhvilluar në territorin italian por ndërkohë nuk ka dhënë detaje më të hollësishme veç faktit se operacioni kishte si qëllim identifikimin dhe sekuestrimin e pasurive të klanit mafioz ‘Ndragheta’.