Botë

Boeing ndalon përkohësisht prodhimin e aeroplanëve 737 Max

Kompania amerikane Boeing tha se do të ndalojë përkohësisht prodhimin e aeroplanëve 737 Max nga muaji janar.

Prodhimi ka vazhduar, edhe pse ky model nuk ka qenë në përdorim që nëntë muaj, për shkak të dy aksidenteve vdekjeprurëse.

Mbi 300 njerëz kanë humbur jetën, pasi njëri 737 Max është rrëzuar në Indonezi dhe tjetri në Etiopi, si pasojë e problemeve teknike.

Boeing ka shpresuar se aeroplanët e tij do të kthehen në qiell në fund të këtij viti, por rregullatorët amerikanë e kanë bërë të qartë se ata nuk do të certifikohen për fluturim kaq shpejt, transmeton rel.

Boeing është një nga eksportuesit më të mëdhenj amerikanë.

Kompania tha se punëtorët e lidhur me 737 Max nuk do të preken, porse ndalimi i prodhimit ka të ngjarë të ndikojë te furnizuesit dhe ekonomia në përgjithësi.

"Kthimi i sigurt i 737 Max-it në shërbim është përparësia jonë kryesore", tha Boeing.

Ndalimi i prodhimit po ashtu nuk ka të ngjarë të prekë pasagjerët, pasi linjat ajrore kanë marrë me qira aeroplanë shtesë për të zëvendësuar 737 Max-in.