Botë

Vazhdon greva në sektorin e transportit në Francë

Bllokada në sektorin e transportit ka vazhduar në Francë për ditën e dytë radhazi të premten, ndërsa greva më e madhe mbarëkombëtare është intensifikuar.

Punëtorët nga një gamë e gjerë sektorësh, po protestojnë kundër reformave të pensioneve. Më shumë se 800,000 njerëz dolën në rrugë të enjten, me përleshje të dhunshme të raportuara në disa qytete kryesore franceze, transmeton KTV.

Anulime të shumta të udhëtimit me tren dhe aeroplan kanë ndodhur të premten, me vetëm një pjesë të sistemit të transportit të kryeqytetit që funksiononte. Operatori i autobusëve dhe i metrosë i Parisit, ka thënë që kjo ecuri do të zgjasë të paktën deri të hënën. Greva më e madhe në Francë gjatë viteve të fundit është organizuar nga sindikatat e pakënaqura me planet e presidentit Emmanuel Macron, që të krijojë një sistem pensional në bazë të pikëve.

Punëtorëve të arsimit dhe atyre të transportit, u janë bashkuar policët, avokatët, stafi mjekësor dhe i aeroportit.