Botë

Trumpi anuloi befas konferencën për shtyp në Londër... dhe momentet tjera grindavece gjatë samitit të NATO-s

Descriptive Text

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka anuluar befas një konferencë të planifikuar për media në margjina të takimit të NATO-s të mërkurën, pas shkëmbimeve të tensionuara me liderët tjerë botërorë.

“Kur të përfundojnë takimet e sotme, do të nisem për në Washington”, shkroi Trumpi në Twitter. “Nuk do të mbajmë konferencë për media në përfundim të takimit sepse patëm shumë të tilla gjatë dy ditëve të fundit. Rrugë të mbarë të gjithëve”, raporton “Politico”.

Gjatë takimeve të shumta të martën me presidentin francez Emmanuel Macron, sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg dhe kryeministrin kanadez, Justin Trudeau, Trumpi dhe liderët tjerë iu adresuan mediave për rreth 2 orë – ndërsa presidenti amerikan i dominoi shumicën e diskutimeve, transmeton Koha.net.

Ato biseda përfshinë një sërë momentesh grindavece, në veçanti takimi bilateral me Macronin, me të cilin Trumpi u përplas rreth luftës kundër ISIS-it.

Ato tensione arritën kulmin kur një video e liderëve botërorë u shpërfaq e të cilët dukej sikur po bënin shaka në llogari të Trumpit. Klipi, i cili u bë viral, shfaqte Trudeaun, Macronin, kryeministrin britanik Boris Johnson dhe kryeministrin holandez, Mark Rutte duke bërë shaka në llogari të Trumpit gjatë një pritjeje në Pallatin Mbretëror të martën mbrëma.

Trumpi reagoi të mërkurën për videon në fjalë duke e quajtur Trudeaun si “dy-fytyrësh” dhe tha se ai është lodhur nga ankesat e Trumpit për nivelin e shpenzimeve në mbrojtje të Kanadasë.

Por, fjalët prapa shpinës nga liderët tjerë botërorë me gjasë ishin incidenti më i madh i betejës shumëfrontëshe që presidenti e ka zhvilluar gjatë 48 orëve të fundit.