Botë

Raporti i Demokratëve për shkarkimin e Trumpit thotë se ai abuzoi me detyrën

Foto: Reuters

Demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë shpalosur të martën rastin e tyre për shkarkimin e presidentit Donald Trump, duke e akuzuar të parin e Shtëpisë së Bardhë për abuzim të detyrës me thirrjen për ndërhyrje të huaj në zgjedhjet e vitit 2020.

Komiteti për Inteligjencë i Dhomës së prirë prej demokratëve, i cili u ka prirë hetimeve të shkarkimit të nisura zyrtarisht në shtator, ka bërë të ditur në raport, i cili i shpalosë në hollësi akuzat kundër presidentit për aferën me Ukrainën, se dëshmitë e deritanishme tregojnë se presidenti ka bërë shkelje dhe ka penguar Kongresin në hetime, raportojnë Reuters dhe CNN.

Raporti prej 300 faqesh e hapë rrugën për shkarkimin e një presidenti amerikan, në të tretin rast të tillë të iniciuar në historinë e SHBA-së. Por ai megjithatë nuk e rekomandon drejtpërsëdrejti shkarkimin, duke pretenduar se është ky një vendim që në fund të fundit duhet ta marrë Kongresi, transmeton “Koha Ditore”.

“Presidenti është përfshirë në këtë shteg të veprimeve për të nxjerrë përfitime për rizgjedhjen e tij presidenciale, për dëmtimin e gjasave zgjedhore të një rivali politik dhe për të ndikuar në zgjedhjet e ardhshme presidenciale të vendit tonë në avantazh të tijin”, thuhet në raport.

“Duke e bërë një gjë të tillë, presidenti i vuri interesat e tija personale dhe politike para interesave kombëtare të SHBA-së, u zotua ta rrezikojë sigurinë kombëtare të SHBA-së”.

Më gjerësisht lexoni nesër në “Koha Ditore”