Policia meksikane në kërkim të bandave që tmerruan qytetin Villa Union

03 December 2019 20:16

Policia meksikane në shtetin Kuila, është në kërkim të disa sulmuesve të cilët vranë 21 persona në qytetin Villa Union.

Më shumë se 500 të shtëna pati mes grupeve të cilat dyshohen se ishin banda dhe policisë. Në mesin e të vrarëve janë edhe 4 policë, transmeton KTV. Më shumë se 60 persona të armatosur kishin hyrë në qytetin e vogël në mes të ditës dhe gjuanin drejt objektit të komunës ku ishte e stacionuar edhe një njësi e vogël policore. Më shumë se një orë zgjati lufta mes policisë dhe sulmuesve.

Banda njëkohësisht mori edhe disa pengje, 4 prej të cilëve i liroi, por disa ende mungojnë. Prefektja e qytetit i cili u tmerrua nga dhuna, deklaroi se Villa Union në të shkuarën nuk kishte përjetuar diçka të këtillë dhe se autoritetet nuk patën njoftime për kërcënime.

E presidenti i vendit Andres Lopez Obrador ka thënë se krimi në vend mbetet sfida më e madhe e presidencës së tij. Duke folur në një ceremoni, me çka shënoi 1-vjetorin e ardhjes në post, ai nuk iu referua këtij rasti direkt.

Por, mbrojti qasjen e tij ndaj luftimit të bandave në vend, duke thënë se mbrojtja e të drejtave të njeriut mbetet mënyra më e mirë për të ulur dhunën. Ai përmendi se në këtë betejë të Meksikës nuk do të lejojë intervenime nga jashtë, duke iu referuar deklaratave të presidentit amerikan i cili kishte thënë se SHBA-ja është e gatshme të pastrojë Meksikën nga kartelet e drogës.

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme