Samiti i NATO-s nis me përçarje midis aleatëve Foto: Reuters

Samiti i NATO-s nis me përçarje midis aleatëve

03 December 2019 13:58

Udhëheqësit e NATO-s u mblodhën të martën në një samit dyditësh në Londër, për të shënuar 70-vjetorin e themelimit të aleancës ushtarake.

Samiti, megjithatë, mbetet nën hijen e debateve të ashpra për shpenzimet në mbrojtje, politikat në Siri e të tjera.

Përkundër tensioneve, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se NATO-ja është "aleanca më e suksesshme në histori".

"Për mua është e rëndësishme që takohemi dhe sigurohemi që NATO-ja vazhdon të ndryshojë, sepse sukses i NATO-s është që ne kemi qenë në gjendje të ndryshojmë kur bota ndryshon", tha Stoltenberg për rrjetin televiziv CNN, para nisjes së samitit.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i cili vazhdimisht u ka kërkuar vendeve të tjera anëtare të NATO-s që t’i rrisin shpenzimet në mbrojtje, e mbrojti rolin e aleancës, duke thënë se ajo i shërben “një qëllimi të shkëlqyeshëm”.

Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut është krijuar nga Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe dhjetë vende evropiane në vitin 1949, mbi parimin e mbrojtjes kolektive. Atë kohë ka pasur shqetësime të mëdha për zgjerimin sovjetik, transmeton rel.

Javë më parë, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka thënë se NATO-s “i ka vdekur truri” dhe është ankuar për mungesë të koordinimit politik dhe strategjik midis aleatëve. Ky vlerësim ka nxitur kritika të ashpra nga të gjitha vendet anëtare.

Macron ka thënë se ka parë një angazhim në rënie të garantuesit kryesor të stabilitetit në Evropë – SHBA-së – dhe ka përmendur këtu dështimin e Uashingtonit për t’u konsultuar me aleatët, përpara tërheqjes së forcave amerikane nga Siria, në muajin tetor.

Tërheqja amerikane i ka hapur rrugë Turqisë – po ashtu aleate e NATO-s – të nisë një operacion ushtarak kundër milicive kurde në Siri, të cilat Ankaraja i konsideron si terroriste.

Në një paraqitje përpara mediave në Londër, së bashku me Stoltenbergun, Trump tha se përshkrimi i Macronit për NATO-n është “shumë fyes” dhe “një deklaratë shumë e keqe për 28 vendet”.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë më 29 nëntor se lideri francez duhet ta kontrollojë "vdekjen e trurit të tij" dhe e ka akuzuar atë për "njohuri të cekët" për terrorizmin.

Të martën në Londër, Erdogan tha se Ankaraja do ta kundërshtojë planin e aleancës për mbrojtjen e vendeve të Baltikut nëse aleanca nuk i njeh si terroriste grupet që i lufton Turqia.

Në një intervistë të publikuar të martën, Stoltenberg tha se NATO-ja do t'i përgjigjet çdo sulmi ndaj Polonisë ose vendeve të Baltikut.

"Përmes pranisë së forcave të NATO-s në Poloni dhe në vendet e Baltikut, ne i dërgojmë Rusisë një sinjal shumë të fuqishëm: nëse ndodh ndonjë sulm ndaj Polonisë ose vendeve të Baltikut, e gjithë aleanca do të përgjigjet", tha Stoltenberg për një grup gazetash.

Turqia është kritikuar po ashtu për blerjen e një sistemi të sofistikuar të mbrojtjes ajrore nga Rusia. Ky veprim ka bërë që Shtetet e Bashkuara ta kërcënojnë me sanksione dhe ta largojnë Ankaranë nga programi amerikan i avionëve luftarakë F-35.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme