Botë

Trumpi, Macroni dhe Erdogani - tre liderë me tri palë kërkesa për NATO-n

Ajo që kishte nisur si kremte për njërën prej aleancave më të rëndësishme ushtarake të botës rrezikon të shndërrohet në shpërfaqje të përçarjeve, dhe arsyeja këtë radhë nuk është ndonjë deklaratë apo veprim i presidentit amerikan Donald Trump.

Gjatë takimit në Londër këtë javë, liderët e Organizatës së Traktatit Veriatlantik duhet të shqetësohen për dy presidentë të tjerë: Emmanuel Macronin e Francës, i cili gjatë javëve të kaluara e ka kontestuar haptazi klauzolën e NATO-s për mbrojtje kolektive, si dhe Recep Tayip Erdoganin e Turqisë, që i ka trazuar anëtarët e Aleancës me vendimet e tij për të dërguar ushtarë në Siri dhe për ta blerë një sistem antiraketor rus, shkruan Bloomberg, transmeton Koha Ditore.

Për më tepër, Macroni dhe Erdogani tani janë duke shkëmbyer publikisht fyerje.

Në të vërtetë, aq shumë gjëra kanë ndryshuar që kur kryeministrja e atëhershme britanike, Theresa May, ofroi të bëhet nikoqire e ceremonive dyditore për 70-vjetorin e NATO-s, saqë pasuesit të saj, Boris Johnsonit, mund t’i falet nëse dëshiron që Britania të mos e kishte bërë një gjë të tillë.

“Do ta them edhe në NATO, së pari kontrolloje vdekjen tënde klinike”, ka thënë Erdogani, duke iu drejtuar Macronit përmes një fjalimi nga Stambolli, të premten. Ai po i referohej një interviste të liderit francez gjatë muajit të kaluar, me ç’rast ai jo vetëm që e kishte kritikuar Turqinë, por Aleancën e kishte shpallur klinikisht të vdekur.

Derisa tri shtete të rëndësishme anëtare do të sjellin agjenda të kundërta në tavolinë, gjatë një tubimi që mbahet në fazën e fundit të fushatës zgjedhore britanike, ngjarja rrezikon ta rrisë shqetësimin rreth së ardhmes së NATO-s, duke e lënë në hije kremtimin e asaj që zyrtarët e Aleancës dhe liderët e quajnë grupin më të suksesshëm ushtarak në histori.

Zyrtarët amerikanë dhe ata britanikë janë munduar gjatë javës së kaluar që ta vënë theksin tek sukseset e NATO-s, përfshirë ndjesinë e ripërtërirë të rëndësisë që nga agresioni i Rusisë në Ukrainë më 2014. Shpenzimet për mbrojtje janë në ngritje dhe NATO-ja po shtrihet në antiterrorizëm, siguri kibernetike e tani edhe në gjithësi.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)