Botë

Johnsoni - Trumpit: Mos ndërhyj në zgjedhjet britanike

Kryeministri britanik, Boris Johnson, ka thënë të premten se do të ishte “më së miri” sikur presidenti amerikan, Donald Trump, nuk do të përfshihej në zgjedhjet e Britanisë së Madhe, kur ta vizitojë Londrën për samitin e NATO-s javën e ardhshme.

Trumpi është përfshirë në zgjedhjet britanike gjatë muajit tetor, duke thënë se lideri i partisë opozitare, Jeremy Corbyn, do të ishte “aq i keq” për Britaninë dhe se Johnsoni duhet të arrijë ujdi me liderin e partisë Brexit, Nigel Farage. Por zyrtarë të lartë të partisë konservatore janë të shqetësuar se Trumpi mund ta trazojë fushatën kur ai ta vizitojë Londrën, vetëm një javë para zgjedhjeve të 12 dhjetorit, në të cilat sondazhet aludojnë për fitore të Johnsonit, transmeotn Koha Ditore.

“Gjëja që ne tradicionalisht nuk e bëjmë, si aleatë dhe miq të afërt, është se nuk ndërhyjmë në fushatat zgjedhore të njëri-tjetrit”, ka thënë Jonsoni për radion “LBC”. “Më e mira është që kur keni miq të afërt dhe aleatë, siç janë SHBA-ja dhe Britania e Madhe, është që të mos ndërhyni kurrë në zgjedhjet e njëri-tjetrit”.

Johnson ka thënë po ashtu se, nëse e merr pushtetin, do ta jetësojë daljen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian, në procesin e njohur si Brexit, më 31 janar – pas pothuajse katër vjetësh krizë politike të gjeneruar nga referendumi i 2016-s, në të cilin britanikët votuan për shkëputjen e udhëve me bllokun evropian. Ai ka shtuar se dëshiron që t’i vazhdojë përgatitjet qeveritare për Brexitin e mundshëm pa marrëveshje – në kuadër të të cilit ai pret që të sigurojë marrëveshje tregtare me BE-në deri në fund të vitit 2020.

“Shumë prej këtyre përgatitjeve do të jenë jashtëzakonisht të çmuara, pasi që gjithsesi do të dalim prej aranzhimeve të BE-së”, ka thënë ai para gazetarëve.

Presidenti amerikan Trump, i cili pritet që të udhëtojë të hënën në Londër, e ka cilësuar Johnsonin si “Trumpin e Britanisë” dhe gjatë një vizite të mëhershme e kishte kritikuar pararendësen e tij, Theresa May, lidhur me politikat e saj për Brexit.

Lideri i laburistëve ka pretenduar së fundi se Jonsoni do t’ua shesë disa pjesë të shërbimit shëndetësor të Britanisë bizneseve amerikane pas Brexitit, por kryeministri e hedh poshtë një pretendim të tillë. Trumpi më herët kishte thënë se gjithçka që lidhet me shëndetin do të duhej të ishte në tryezën e negociatave për marrëveshjen tregtare, ndonëse më vonë pretendoi se çështja e shëndetit nuk do të jetë.