Botë

Trumpi realizon vizitën e parë në Afganistan

Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se Shtetet e Bashkuara kanë rinisur bisedimet me talibanët, teksa ka realizuar një vizitë të papritur për Festën e Falënderimeve te trupat amerikane në Afganistan, duke shënuar kështu vizitën e parë në shtetin e shkatërruar nga lufta prej kur ka nisur udhëheqësinë më 2017.

“Talibanët dëshirojnë të arrijnë një marrëveshje dhe ne do të takohemi me ata”, u ka thënë ai gazetarëve në veri të Kabulit, duke shtuar: “Ne kemi thënë se duhet të ketë armëpushim dhe ata më parë nuk kanë dëshiruar armëpushim dhe tani duan të kenë armëpushim”.

“Me siguri se do të funksionojë ashtu”, ka thënë ai.

Udhëtimi i Trumpit vjen një javë pas lirimit të dy pengjeve perëndimore nga talibanët, në këmbim të tre të burgosurve talibanë, duke rritur kështu shpresat për rikthim të bisedimeve për paqe.

Shtetet e Bashkuara dhe talibanët kanë zhvilluar bisedime gati një vit për t’i dhënë fund luftës 18-vjeçare në Afganistan, para se Trump të pezullonte bisedimet në muajin shtator.

Agjencia e lajmeve, Reuters ka raportuar se zyrtarë talibanë kanë thënë se ky grup është takuar me zyrtarë të lartë amerikanë në Doha në fundjavën e kaluar, duke shtuar se shumë shpejt do të rikthehen bisedimet.

“Qëndrimi ynë vazhdon të jetë i njëjtë. Nëse nisin bisedimet për paqe, do të vazhdojnë aty ku janë ndalur”, ka thënë zëdhënësi i talibanëve, Zabihullah Mujahid për Reuters, pak pasi Trump ka thënë se bisedimet do të rinisin.

Në bazën ajrore në Bagram, presidenti amerikan ka pranuar se numri i trupave amerikane është duke u zvogëluar, mirëpo ka insistuar se SHBA-ja do të vazhdojë të ketë prezencë aty derisa të arrihet marrëveshje apo të ketë fitore, meqë sipas tij talibanët duan që patjetër të ketë marrëveshje.

Aktualisht janë rreth 13,000 trupa ushtarake në Afganistan, dhe forca evropiane që marrin pjesë në kuadër të misionit të NATO-s.

Ekipi i presidentit afgan, Ashraf Ghani ka publikuar muajin e kaluar një propozim prej shtatë pikave, me qëllim të rikthimit të bisedimeve mes SHBA-së dhe talibanëve.

Deri më tani talibanët kanë refuzuar që të bisedojnë me Qeverinë afgane, duke e konsideruar kukull të perëndimit.

Në Bagram, Trump është pritur nga gjenerali ushtarak amerikan, Mark Milley.

Presidenti amerikan është shoqëruar nga Këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare, Robert O'Brien, është takuar me presidentin afgan Ghani, zyrtarët e të cilit kanë thënë se kanë kuptuar për vizitën e Trumpit vetëm disa orë përpara.

Lideri afgan ka falënderuar Trumpin për “shtyrje përpara të paqes që do të garantonte arritjet e vitit të kaluar dhe do të garantonte siguri”.

Më vonë, përmes një postimi në rrjetin social, Twitter, Ghani ka thënë se “në takimin tonë bilateral, ne kemi diskutuar përparimin e rëndësishëm që kemi bërë bashkërisht në përpjekjet ushtarake në fushëbetejë, duke përfshirë shkatërrimin e grupit militant, Shteti Islamik në lindje të Afganistanit. Presidenti Trump ka vlerësuar përpjekjet e palodhshme të forcave afgane të sigurisë në këto luftime”.

“Të dyja palët kanë vlerësuar se nëse talibanët janë të sinqertë në përkushtimin e tyre për arritje të paqes, ata duhet të pranojnë armëpushimin. Ne po ashtu kemi vlerësuar se për të zgjatur paqja, strehët e sigurta për terroristët jashtë Afganistanit, duhet të shpërbëhen”, ka shkruar Ghani.

Gjatë vizitës së tij në bazën ushtarake, Trump ka shtruar darkë për trupat amerikane, për nder të Festës së Falënderimeve.

Në këtë festë, që është traditë në SHBA, që familjet amerikane të darkojnë së bashku/REL.