Botë

Gjykata vendos: Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë pa imunitet ndaj dëshmive

Një gjykatëse federale ka vendosur që personeli i Shtëpisë së Bardhë mund të detyrohet të dëshmojë para Kongresit, duke hedhur poshtë pretendimet e administratës së presidentit amerikan, Donald Trump për imunitet të personelit të Shtëpisë së Bardhë.

Vendimi në mënyrë specifike detyron ish-këshilltarin e Shtëpisë së Bardhë, Don McGahn, të dëshmojë për një hetim mbi ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së në vitin 2016.

Por, vendimi gjithashtu ka ndikime të mëdha në hetimin për shkarkim të presidentit të udhëhequr nga demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve.

Departamenti i Drejtësisë thotë se do të apelojë aktvendimin.

Administrata e presidentit Trump ka refuzuar të bashkëpunojë me hetimin për shkarkim dhe hetimet e tjera të udhëhequra nga demokratët, duke i udhëzuar zyrtarët e tanishëm dhe të kaluar të Shtëpisë së Bardhë të kundërshtojnë thirrjet për dëshmi dhe dorëzimin e dokumenteve.

McGahn, i cili la postin e tij në tetor të vitit 2018, u thirr për të dëshmuar para Komitetit të Gjyqësorit në Dhomën e Përfaqësuesve për t'iu përgjigjur pyetjeve në lidhje me përpjekjet e presidentit për të penguar hetimin e përfunduar tanimë të këshilltarit, Robert Mueller për përfshirjen ruse në zgjedhjet presidenciale 2016.

Por, në aktvendimin e saj, gjykatësja Ketanji Brown Jackson tha se "askush nuk është mbi ligjin".

"Zyrtarët e ekzekutivit nuk janë absolutisht të imunizuar nga procesi i detyrueshëm", shkroi ajo.

Gjykatësja Jackson gjithashtu tha në mënyrë të qartë presidenti "nuk ka fuqi" t'i ndalojë ndihmësit e tij t'u përgjigjen thirrjeve të Kongresit - duke shtuar se "presidentët nuk janë mbretër".

"Askush, madje as kreu i pushtetit ekzekutiv nuk është mbi ligjin", tha gjykatësja Jackson.

Kryetari i Komitetit Gjyqësor, Jerrold Nadler, tha se ai pret që McGahn "të ndjekë detyrimet e tij ligjore dhe të paraqitet menjëherë para Komitetit".

Për çfarë po hetohet Trump?

Vendimi i së hënës mund të ketë një efekt mbi dëshmitë aktuale në kuadër të procesit për shkarkimin e presidentit.

Demokratët mund ta përdorin atë vendim për të thirrur të dëshmojnë, personalitete të tilla si ish-këshilltari i sigurisë kombëtare, John Bolton dhe sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo.

Hetimet e Dhomës së Përfaqësuesve po zhvillohen për të zbuluar nëse presidenti Trump e përdori si kërcënim ndalimin e një ndihme ushtarake amerikane për Ukrainën, në mënyrë që të bëjë presion ndaj Kievit, për të hetuar një rival të brendshëm politik.

Në thelb të hetimit për shkarkim është një telefonatë e 25 korrikut të këtij viti midis Trumpit dhe presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Çfarë mund të ndodhë?

Gjatë thirrjes, Trump i kërkoi homologut të tij të hetojë lidhur me pretendimet për korrupsion kundër rivalit të tij politik, Joe Biden.

Kritikët e zotit Trump thonë se ky presion i supozuar politik mbi një aleat të ndjeshëm të SHBA-së, ishte abuzim me pushtetit.

Komiteti për gjyqësor i Dhomës së Përfaqësuesve në fillim të dhjetorit pritet të fillojë hartimin e artikujve të shkarkimit - të cilat ne fakt janë edhe akuza ndaj presidentit.

Pas një votimi në Dhomën e Përfaqësuesve, atëherë gjykimi do të zhvillohej në Senat.

Nëse Trump do të dënohej nga një shumicë prej dy të tretave ai do të bëhej presidenti i parë amerikan që do të hiqej nga detyra përmes procesit të shkarkimit.

Shtëpia e Bardhë dhe disa republikanë duan që gjyqi të kufizohet në dy javë. Republikanët e kanë shumicën në Senat/REL.