Botë

Kina shpëlau trurin e mijëra myslimanëve ujgurë

Publikimi i disa dokumenteve, për herë të parë ka dhënë detaje të tru-shpëlarjes sistematike që ua ka bërë Kina mijëra myslimanëve përmes një rrjeti në kampet burgje.

Qeveria kineze vazhdimisht ka pohuar se kampet që ndodhen në rajonin e largët Xinjiang në perëndim, ofronin arsimim dhe trajnime vullnetare, raporton KTV.

Por, në dokumentet zyrtare të cilat i ka parë emisioni i famshëm “Panorama” në BBC, thuhet se pjesëmarrësit e këtyre trajnimeve mbylleshin në qeli, indoktrinoheshin dhe dënoheshin rëndë. Në mesin e atyre që i mbijetuan tmerrit të këtyre kampeve është edhe një grua.

“Duhet të uleni vetëm aty ku u thonë ata. Të flini aty ku u thonë. Secila grua kishte dy minuta për të shkuar në tualet. Na thoshin që të jemi të shpejta në tualet. Nëse nuk ndodhte kjo, na godisnin me një mjet elektrik në kokë. Edhe pasi na godisnin, ne është dashur t’i falënderojmë dhe t’u themi se nuk do ta përsërisim gabimin”, ka thënë Gulzira, e mbijetuar e kampit.

Sayragul është në mesin e mësueseve që u detyrua të punonte në shpëlarjen e trurit te të burgosurit. Ajo është e para që ka dëshmuar në keqtrajtimin e ujgurëve.

“I mësonim se nuk do të mund të mbijetonin pa partinë komuniste. Se partia tregon rrugën e vetme për të jetuar, por nëse më pyesni se cili ishte qëllimi kryesor i qeverisë do të them se ishte që t’i kthente në kinezë pjesëtarët e kësaj etnie”, tha Sayragul, mësuese në kampet burgje.

E ambasadori kinez në Britani këto dokumente i ka quajtur lajme të rrejshme në një konferencë të ashpër me gazetarët, sidomos me atë të “BBC Panorama” që insistonte në të vërtetën rreth kampeve.

Hetimi ka gjetur prova të reja që rrëzojnë qëndrimet e Pekinit se kampet e mbajtjes që janë ndërtuar nëpër tërë Xinjiangun gjatë tre vjetëve të kaluara, janë për qëllime vullnetare për të luftuar ekstremizmin.

“Çdo gjë që kemi dëgjuar nga dëshmitarët dhe të mbijetuarit, është e ngjashme me detajet e këtij dokumenti. Mua më dukej si një dramë naziste. Kopja e këtij dokumenti duhet të jetë në tavolinat e ligjvënësve nëpër gjithë botën”, ka thënë Nury Turkel nga projekti i të drejtave të ujgurëve.

Rreth një milion njerëz, shumica të komunitetit ujgur, mendohet se janë mbajtur në këto kampe.

Dokumentet e rrjedhura të Qeverisë kineze përfshijnë një memorandum prej nëntë faqesh, të cilin në vitin 2017, atëherë zëvendëssekretari i Partisë Komuniste në Xinjiang ia kishte dërguar një zyrtari të lartë që drejtonte kampin.

Urdhrat në këtë memorandum ua bënin të qartë udhëheqësve të kampit që hapësira të drejtohej si burg i sigurisë së lartë, të kishte dënime dhe pa asnjë mundësi ikjeje.

Përveç këtyre urdhrave, Partia Komuniste donte që të burgosurit ta mësonin gjuhën mandarine dhe të inkurajoheshin për një transformim të vërtetë.

Në këto dokumente është zbuluar se jeta e secilit të burgosur monitorohej dhe kontrollohej çdo ditë.

“Studentët duhet të kenë pozitë fikse të fjetjes, klasës dhe të punës. Këto i kanë të ndaluara që të ndërrohen”, thuhej në dokument.

E në disa faqe të dokumenteve, thuhej se vetëm brenda një jave në këto kampe janë dërguar 15 mijë njerëz që dënoheshin rëndë në rast se tentonin të kontaktonin familjarët e tyre.