Botë

Ish-kryeministri i Skocisë gjykohet për ngacmimin e dhjetë grave

Alex Salmond ka dalë para gjykatës me akuzat se gjatë punës si kryeministër i Skocisë, ka ngacmuar seksualisht dhjetë gra.

Salmondi është përballur me 14 akuza në Gjykatën e Lartë të Edinburgut.

Ai i ka mohuar të gjitha akuzat që përfshinin një tentim dhunim, një për qëllim të dhunimit dhe dhjetë tjera ishin lidhur me sulme seksuale.

Të gjitha sulmet e dyshuara besohet të kenë ndodhur mes qershorit të vitit 2008 dhe nëntorit të vitit 2014.

Tentimi i dhunimit besohet të ketë ndodhur në qershorin e vitit 2014 në Edinburg, transmeton KTV raportin e Reutersit. Ai dyshohet se përplasi për muri një grua dhe e zhveshi, para se ta vendoste në krevat.

E në rastin tjetër e kishte sulmuar seksualisht një grua për rreth një muaj. Sulmi dyshohet se ndodhi në Glasgou në vitin 2008.

Të njëjtën grua, atëherë kryeministri, e kishte ngacmuar edhe në dhjetorin e vitit 2010 ose 2011.

Hetimet ndaj tij i filloi policia në momentin kur u paraqitën ankesat e para në Qeverinë skoceze.

Salmondi kishte nisur analizë juridike ndaj qeverisë për mënyrën se si i kishte trajtuar hetimet, duke thënë se ndaj tij janë bërë padrejtësi.

Qeveria më vonë kishte deklaruar se procedurat hetimore kishin shumë shkelje dhe se është dashur të paguajë më shumë se 500 mijë funte për shpenzimet ligjore të Salmondit.

Salmondi ishte dy herë lider i Partisë Kombëtare të Skocisë, ndërsa nga zyra e kryeministrit u largua në vitin 2014 kur u mbajt referendumi për pavarësinë e shtetit nga Mbretëria e Bashkuar.

Pas punës si kryeministër, ai shërbeu edhe si deputet në Parlamentin britanik.