Deputetët e Parlamentit Evropian e pranuan kandidatin hungarez Oliver Varhelyi në postin e komisionarit të ri të Zgjerimit të BE-së, duke hequr kështu edhe pengesën kyçe në inaugurimin e Komisionit të ri më 1 dhjetor, një muaj pasi ishte planifikuar.
Parlamenti, i cili sipas ligjit të BE-së mund të refuzojë përbërjen e Komisionit të ri në tërësi nëse kundërshton komisionarët individualë, më parë kishte kërkuar ndryshime nga kandidatët nga Franca, Hungaria e Rumania, raporton Reuters.
Kandidatët e rinj të propozuar nga Parisi dhe Bukureshti kaluan seancat dëgjimore në Parlamentin Evropian javën e kaluar, por deputetët kërkuar hungarezin t’u përgjigjet pyetjeve shtesë me shkrim deri të hënën para se ta miratonin atë, transmeton Koha.net.
Zëdhënësi i Parlamentit, Jaume Duch, tha në Twitter se shefat e grupeve parlamentare tanimë kanë rekomanduar aprovimin e Oliver Varhelyit.
Shefi i ri i BE-së, i cili mund të propozojë ligje detyruese në të gjitha 27 shtetet anëtare të BE-së pasi të largohet Britania, është dashur të niste punën më 1 nëntor, por refuzimi i tre kandidatëve e kishte pamundësuar këtë.
Zëdhënësja e re e Komisionit, Dana Spinant, tha se tani është një dritare e pastër e mundësive që ekzekutivi i Presidentes Ursula von der Leyen të nis punën në fillim të dhjetorit.
Parlamenti Evropian pritet të miratojë Komisionin e tërë gjatë një votimi më 27 nëntor.
Deri më tani këtë post e ka mbajtur Johannes Hahn.
-
18 nëntor 2019 19:41
-
Shpërndaje në: