Botë

Netflixi ndryshon dokumentarin për kampet naziste pas kërkesës nga qeveria polake

Platforma Netflix ka njoftuar se do të ndryshojë disa pjesë të një dokumentari, që tregon hartat e kampeve të përqendrimit nazist.

E këtë do ta bëjë pas një ankese nga kryeministri i Polonisë, transmeton KTV.

Mateusz Morawiecki tha që dokumentari ‘The Devil Next Door” kishte harta me kampe vdekjeje, brenda kufijve të Polonisë së ditëve të sotme.

“Hartat nënkuptojnë se Polonia ishte përgjegjëse për kampet e vdekjes, kur në fakt ajo u pushtua nga Gjermania naziste në Luftën e Dytë Botërore”, tha ai.

E platforma Netflix tha që do të ndryshonte hartat, për të shmangur çdo keqkuptim.

Qeveria polake e ka mirëpritur vendimin.

Gjermania pushtoi Poloninë në vitin 1939, që shënoi fillimin e luftës.

Gjermanët ndërtuan kampe përqendrimi dhe vdekjeje në Poloninë e okupuar, ku u vranë 1.1 milion njerëz, shumica prej tyre hebrenj.

Një zëdhënës për Netflix-in, i tha BBC-së se tekstet shtesë do të shtohen në hartat e paraqitura në dokumentar, për ta pasqyruar këtë kontekst historik.

Ministria e Jashtme e Polonisë e falënderoi Netflix-in për reagimin, duke shtuar se shpresonte që prodhimet e ardhshme të kompanisë do t'i kushtonin vëmendjen e duhur të vërtetës historike.

Dokumentar ‘The Devil Next Door’ tregon historinë e vërtetë të John Demjanjuk, një punëtor ukrainas-amerikan i cili u akuzua si roje famëkeqe e kampit të përqendrimit nazist.

Ky ishte kamp shfarosjeje i ndërtuar dhe operuar nga Gjermania naziste në Poloninë e pushtuar gjatë luftës.

Demjanjuk këmbënguli se i ishte ndryshuar identiteti i tij gabimisht, por kërkesa e tij u hodh poshtë.

Ai u dënua përfundimisht nën akuzat se ndihmoi në vrasjen e 28,000 hebrenjve në Sobibor, një tjetër kamp vdekjeje në Poloninë e pushtuar.

Ai vdiq në Gjermani në vitin 2012, ndërsa apeloi kundër dënimit të tij për krime lufte.