Rojtaret e pyjeve në Malavi

Rojtaret e pyjeve në Malavi

14 November 2019 12:14

Trace Banda po rri gatitu jashtë kampit të rojtarëve teksa në duar mban një armë M-16 në kohën kur po përgatitet për ushtrimin e radhës që do të organizohet brenda kampit.

“Kjo nuk është punë e lehtë. Nuk është aspak e lehtë. Është prej atyre punëve më të vështira në jetë”, thekson ajo. Megjithatë Banda nuk e ka ndërmend të dorëzohet. Njihet për karakterin e saj të fortë.

“Vetëm më të fortit ia dalin në këtë punë”, shton gruaja që po sfidohet tani me një angazhim të ri. Është goxha sfidues, por është përballur me shumë sfida në jetë.

Të rrezikosh jetën për botën shtazore

Banda, 35 vjeç, është rojtare pylli. Puna ia kërkon që të rrezikojë edhe jetën e saj për të ruajtur e shpëtuar botën e egër shtazore e bimore në Parkun Kombëtar Kasungu në Malavi.

Shtrirë në krahinën e Kasungus, ku jetojnë rreth 55 mijë banorë, ky është vendi ku ndodhet parku i dytë më i madh kombëtar në vend. Autoritetet lokale dhe qendrore kanë bërë të ditur në një rrëfim për “Al-Jazeeran” se territori i parkut përfshin një hapësirë prej dy mijë e treqind kilometrash katrorë.

Vendi është i njohur për popullatën e elefantëve, por gjatë viteve të fundit këto shtazë po kërcënohen prej vrasësve që përfitojnë para të majme prej botës shtazore. Popullata e elefantëve ka shënuar prej më shumë se një mijë sosh sa ishte në vitet nëntëdhjetë në vetëm pesëdhjetë më 2015. Së fundmi, autoritetet kanë bërë të ditur se në park jetojnë vetëm 120 gjigantë të murrmë.

Banda asnjëherë nuk e kishte menduar punën e rojtares së pyllit. Por, shpjegon ajo, ishin rrethanat që e nxitën ta mendonte këtë punë, transmeton “Koha Ditore” shkrimin e “Al-Jazeera”. Më 2005 ishte regjistruar në inxhinierinë mekanike në kolegj, por më vonë u shtrëngua ta linte fakultetin për shkaqe financiare. Dhe disa vjet me radhë kishte mbetur pa punë dhe do të varej financiarisht prej mbështetjes së familjes.

Më 2008 do të aplikonte për punën e rojës së pyllit, megjithëse e pranon se nuk është se kishte haber për këtë punë.

E para

Kur Banda kishte mbërritur për herë të parë në park, do ta merrte vesh se ishte femra e parë rojë pylli.

“Pasi hyra në listën e ngushtë për këtë punë, më dërguan për trajnime. Trajnimet kishin për qëllim të përcaktonin nëse isha apo jo e gatshme mjaftueshëm që të bëhesha rojtare”, kujton ajo.

Dhe menjëherë do ta merrte vesh se e prisnin shumë sfida. Kishte dyshime por, megjithatë, nuk kishte hequr dorë prej kësaj mundësie të pazakonshme.

“Ishte shumë vështirë. Duhej të vrapoja çdo mëngjes, nganjëherë me një çantë shpine prej 15 kilogramësh, por mbijetova”.

Me qëllim që të përgatiteshin për punën e re, rojtaret mësojnë për sjelljen e shtazëve. Por përballja me gjuetarët ilegalë të shtazëve, ku shpesh ka edhe shkëmbime zjarri, mund të përbëjë rrezik për jetën e tyre.

“U nisa për xhungël me tri kolege të mia, ishte një shkëmbim zjarri nate, dëgjova një krismë dhe menjëherë i zgjova koleget e mia”, kujton ajo njërën prej sfidave më të rrezikshme në fillim të punës së saj.

“Pamë gjuetarët ilegalë të shtazëve të egra dhe nisëm të shtinim në drejtim të tyre, por ata po gjuanin derisa po mundoheshin të iknin, por e di se ia dolëm ta qëllonim njërin prej tyre, sepse pamë gjurmë gjaku në tokë përgjatë shtegut nëpër të cilin ia mbathën”, thekson ajo.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme