Botë

Australia po shkrumbohet në përmasa të mëdha, është djegur hapësirë më e madhe se Kosova

Foto: Reuters

Rajonet në lindje të Australisë paralajmërojnë se ditën e martë vendi mund të përballet me një katastrofë të vërtetë zjarresh. Temperaturat e larta dhe erërat e forta po përhapin flakët në mënyrë të rrezikshme, dhe u kanë marrë jetën 3 personave.

Autoritetet australiane në rajonet lindore kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme nga zjarret.

Qytetarëve u është bërë apel të lëshojnë banesat pasi kushtet atmosferike do të rëndohen më tej ditën e martë.

“Dimë që moti nesër do të jetë në nivele edhe më katastrofike se në ditët e kaluara. Të gjithë duhet të jemi në gatishmëri dhe t'i bindemi zjarrfikësve për të mbrojtur jetët dhe pronat tona”, deklaroi shefja e ekzekutivit e New South Wales, Shane Fitzsimmons, shkruan “oranews”.

Në fundjavë, vatrat e zjarrit u morën jetën tre personave dhe shkatërruan 150 banesa.

Mbi 1,000 zjarrfikës vullnetarë po luftojnë me flakët që nga lindje-perëndimi deri në jug të vendit.

Gjysma prej tyre nuk po kontrollohen dhe betejën po e vështirësojnë moti i nxehtë dhe erërat e forta.

Zjarret kërcënojnë edhe kryeqytetin Sidnej.

“Makinën e kam gati. Nuk jam e sigurt por mund të largohem me shpejtësi nëse situata vazhdon”, shprehet një banore.

Shkencëtarët thonë se ndryshimet klimatike vetëm sa do e përkeqësojnë bilancin e fatkeqësive natyrore dhe zjarreve fushore në Australi.

Kujtojmë se muajve të fundit, rreth 11,000 kilometra katror – një zonë kjo më e madhe sesa Kosova – është djegur, sipas shërbimit të zjarrfikësve të New South Wales.

AFP-ja thotë se të hënën kushtet ishin më të mira dhe disa banorë u kthyen nëpër shtëpitë e tyre, ndonëse zjarre ka ende nëpër shume rajone.

Më së shumti pritet të goditen Malet e Kaltra në perëndim të Sidnejt, Lugina Hunter në veri e njohur për prodhimtarinë e verës si dhe rajoni Illawarra në jug të qytetit.