Botë

Dalin në shitje aksionet e kompanisë më të madhe në botë

Descriptive Text

Kompania saudite e naftës “Aramco” shpalli ofertën fillestare publike për shitjen e aksioneve, 7 javë pas sulmeve në rafineritë e saj të naftës.

“Aramco” është kompania më e madhe e naftës në botë, e cila vlen 1,2 biliardë dollarë.

Arabia Saudite njoftoi zyrtarisht të dielën ofertën e saj fillestare të parashikuar prej kohësh të gjigantit të saj të naftës “Aramco”, sipas së cilës një pjesë e kompanisë do të ofrohet në bursën lokale, me shpresën për të siguruar miliarda dollarë për mbretërinë.

Shefi ekzekutiv i kompanisë, Amin Nasser, e quajti të dielën një ditë vërtet historike, duke shtuar se kompania do të jetë tashmë e listuar edhe në bursën e Riadit. Oferta fillestare publike do të ndahet në dy transhe, një për institucionet publike dhe e dyta për investitorët privatë, por “Aramco” ende nuk e ka përcaktuar se sa për qind e kompanisë do të shitet, shkruan atsh.

Burimet thonë se sauditët do të shesin vetëm 1-2% të aksioneve të kompanisë, që mund të kushtojnë nga 20 deri në 40 miliardë dollarë.

Shitja e aksioneve të “Aramco” synon që të rrisë ekonominë e vendit saudit, pasi Princi i Kurorës, Mohammed bin Salman synon diversifikimin e saj, larg nga nafta.

“Aramco” u themelua në vitin 1933, mes Arabisë Saudite dhe kompanisë së naftës standarde në Kaliforni. Por, mes viteve ‘73-‘80, Arabia Saudite e bleu të gjithë kompaninë.