Rusia pozicionon trupat ushtarake në kufirin Turqi-Siri

Rusia pozicionon trupat ushtarake në kufirin Turqi-Siri

23 October 2019 15:52

Forcat ruse kanë nisur të pozicionohen përgjatë kufirit mes Turqisë dhe Sirisë, në kuadër të marrëveshjes për të larguar trupat kurde nga ky rajon.

Njësitet ruse janë parë duke kaluar Lumin Eufrat, teksa janë nisur për në qytetin Kobane.

Sipas marrëveshjes së arritur në mes të Rusisë dhe Turqisë, forcat ruse dhe ato siriane do të largojnë luftëtarët kurdë nga zona kufitare.

Trupat turke do të vazhdojnë të kontrollojnë këtë zonë, të cilën e kanë fituar pas operacionit ushtarak të nisur kundër luftëtarëve kurdë, të cilët Turqia i konsideron terroristë.

Në planin e Turqisë përfshihet edhe krijimi i “zonave të sigurta” afër kufirit, në mënyrë që të strehohen mbi dy milionë refugjatë që aktualisht jetojnë në Turqi.

Marrëveshja është nënshkruar pas gjashtë orëve të negociatave në mes të presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan dhe nikoqirit të tij në Soçi, presidentit rus, Vladimir Putin.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes me Rusinë, Turqia ka thënë se nuk ka nevojë për nisje të operacionit të ri ushtarak, meqë në mesnatë ka skaduar armëpushimi që kanë ndërmjetësuar Shtetet e Bashkuara një javë më parë.

Operacioni turk ka nisur pasi SHBA-ja ka njoftuar ditë më parë se do të tërheqë trupat e saj nga veriu i Sirisë, pavarësisht pse ata kanë qenë duke mbështetur luftëtarët kurdë, me të cilët kanë luftuar militantët e grupit ekstremist, Shteti Islamik në rajon.

Teksti i plotë në Radio Evropa e Lirë.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme