Botë

Të Gjelbrit rriten ndjeshëm në Zvicër

Përkrahja për Të Gjelbrit ka shpërthyer në Zvicër në zgjedhjet e së dielës, duke lëvizur politikat kah e majta dhe duke vënë ambientalistët në kombinime për ulëse në qeverisje me koalicionin e gjerë që ka qeverisur me vendin për dekada.

Partia Popullore e Zvicrës (SVP) mbeti e para, sipas projeksioneve të para, por sikur partitë tjera të mëdha, ka humbur përqindje pas rritjes të Të Gjelbërve pas shqetësimeve për ndryshimet klimatike.

“Nuk është valë e gjelbër, është cunami, është uragan”, ka thënë Celine Vara, zëvendëslidere e Të Gjelbërve që siguroi ulëse në Dhomën e Lartë të Parlamentit në kantonin Neuchatel.

SVP ka rënë në 25.6 për qind, teksa Të Gjelbrit janë ngritur nga 5.9 në 13 për qind të votës për Dhomën e Ulët, sipas projeksioneve të transmetuesit “SRF”. Partia Liberale e Gjelbër arriti në 7.9 duke çuar fuqinë e dy partive në gati 21 për qind. Bashkë ato zënë 26 ulëse në Dhomën e Ulët me 200 ulëse, potencialisht për t’i vendosur në linjë për të marrë një nga shtatë ulëset në kabinetin e Këshillit Federal. Ndryshimi i një ulëse në këtë kabinet konsiderohej sensacion politik. Të Gjelbrit s’kanë pasur kurrë ulëse në qeverinë federale.

Socialdemokratët (SP) mbetën të dytit me 16.6 për qind dhe Liberalët (FDP) të tretit me 15.3 për qind, por Të Gjelbrit tejkaluan Kristiandemokratët (CVP) që kanë një ulëse në Këshillin Federal.

Kabineti ishte ndarë mes SVP-së, SP-së, FDP-së dhe CVP-së që nga 1959. Tri partitë e mëdha marrin nga dy ulëse dhe i katërti një, nën sistemin zviceran.