Mes shumë temave, u fol edhe për tërheqjen amerikane nga Siria

16 October 2019 19:38

Kandidatët demokratë që synojnë të ballafaqohen me republikanin Donald Trump në zgjedhjet e 2020-s, e kanë mbajtur debatin e radhës.

Në mesin e shumë temave, ata folën edhe për krizën në veri të Sirisë. Të gjithë demokratët e dënuan vendimin e Trumpit për t’i tërhequr trupat amerikane nga Siria veriore, duke thënë se ai kishte rrezikuar aleatët kurdë, ndërsa fuqizonte armiqtë, përkatësisht Rusinë dhe Sirinë, transmeton KTV.

Në debatin e parë presidencial që nga koha kur Trumpi njoftoi për tërheqjen e trupave , 12 kandidatët në skenë ishin të bashkuar në vlerësimin e presidentit republikan si të pamatur dhe si rrezik për interesat amerikane në të gjithë botën. Por disa, duke përfshirë kandidaten kryesore Elizabeth Warren, thanë se synojnë t'i japin fund pranisë ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme.

Përndryshe, Trumpi ka mbrojtur ndryshimin e politikës amerikane në Siri, si pjesë e një plani për tërheqjen e Shteteve të Bashkuara nga luftërat nëpër botë. Por, kritikët, përfshirë figura të njohura në Partinë e tij Republikane, e konsiderojnë atë si tradhti ndaj kurdëve, aleatë besnikë që humbën mijëra luftëtarë në luftë kundër ISIS-it.

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme