Botë

Merkel-Macron: Duhet të mendojmë se si të forcojmë BE-në

Descriptive Text

Kancelarja gjermane Angela Merkel dje në Berlin u takua me presidentin e ri francez, Emmanuel Macron, kurse të dy udhëheqësit theksuan nevojën e reformimit të Bashkimit Evropian (BE).

Pas takimit Merkel ka bërë thirrje, për siç tha, dinamikë të re në marrëdhëniet mes Berlinit dhe Parisit duke theksuar se interesat e dy vendeve janë të lidhura ngushtë.

Ajo gjithashtu theksoi se Gjermania është në parim e gatshme për të biseduar edhe për ndryshimin e marrëveshjes së Bashkimit Evropian (BE) nëse është e nevojshme. “Do të isha e gatshme për të marrë një hap të tillë, por së pari duhet të përcaktojmë se çfarë duam të reformojmë. Nga pikëpamja gjermane, është e mundur të ndryshojmë traktatet e BE-së”, tha Merkel.

Sipas saj, zgjedhja e presidentit të ri francez është një shans i mirë që më lehtë të arrihet progresi, në të gjithë Evropën. Ajo në fund theksoi se është shumë e rëndësishme që BE-në dhe Eurozonën të bëjnë më rezistente ndaj krizave.

“Konstatimi i përbashkët është se tani ne nuk mund të merremi vetëm me largimin e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian, por para së gjithash ne duhet të mendojmë se si ne mund Bashkimin Evropian dhe mbi të gjitha Eurozonën të bëjmë më të fuqishme dhe më rezistente ndaj krizave”, tha Merkel, shkruan AA.

Macron në konferencën për shtyp gjithashtu ka bërë thirrje për “reformimime historike” të Evropës, duke shtuar se donte një “Evropë më pak burokratike dhe më shumë mbrojtëse”.

Ai shtoi gjithashtu se ndryshimet në traktatet e BE-së nuk do të jenë më një temë tabu në Francë. “Reformat e domosdoshme dhe të thella të Bashkimit Evropian dhe Eurozonës kanë nevojë për një qasje të përbashkët”, tha Macron, duke theksuar në fund që do të jetë në partner i hapur, i drejtpërdrejtë dhe konstruktiv i Berlinit.

Vizita në Gjermani e Presidentit të ri të Francës, Macron, është vizita e tij e parë jashtë vendit, që nga marrja e detyrës.