Operacioni turk ndaj kurdëve, rritet numri i viktimave dhe i të zhvendosurve

Operacioni turk ndaj kurdëve, rritet numri i viktimave dhe i të zhvendosurve

11 October 2019 15:41

Numri i viktimave në operacionin e Turqisë në veri të Sirisë po rritet.

Së paku 11 civilë u vranë, ashtu si edhe dhjetëra luftëtarë kurdë, tha organizata monitoruese Vëzhguesi Sirian i të Drejtave të Njeriut.

Ushtria turke raportoi për vdekjen e një ushtari të saj. Mijëra njerëz, ndërkaq, kanë ikur nga shtëpitë e tyre.

Sipas organizatës së ndihmës Komiteti Ndërkombëtar i Shpëtimit, rreth 64,000 vetë tashmë janë zhvendosur.

Grupet e ndihmës thonë se rreth 450,000 mund të detyrohen të lëvizin.

Turqia ka nisur të mërkurën operacionin ushtarak kundër kurdëve në veri të Sirisë, për të eliminuar, siç ka thënë, “terrorin” përgjatë kufijve të saj.

Operacioni ka nisur pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka urdhëruar tërheqjen e trupave nga zona.

Turqia i konsideron milicitë kurde në Siri si pjesë të Partisë së ndaluar të Punëtorëve të Kurdistanit, e cila ka luftuar për autonominë kurde brenda Turqisë për tri dekada me radhë.

Këto milici, që kanë qenë aleate të forcave amerikane në luftën kundër grupit militant Shteti Islamik në Siri, e mohojnë çdo lidhje të drejtpërdrejtë organizative me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit.

Një grup prej 29 republikanësh në Dhomën e Përfaqësuesve në SHBA hartoi një legjislacion për sanksione kundër Ankarasë.

"Nëse Turqia dëshiron të trajtohet si aleate, ajo duhet të fillojë të sillet si e tillë", tha kongresistja Liz Cheney.

Presidenti Trump e mbrojti vendimin e tij për tërheqje të trupave nga Siria, duke thënë në një rast se kurdët “nuk na kanë ndihmuar neve në Luftën e Dytë Botërore”.

Por, ai mori një qëndrim më të ashpër ndaj ofensivës së Turqisë, për shkak të kritikave në SHBA dhe jashtë saj.

Një zyrtar amerikan u tha gazetarëve se vija e kuqe nënkupton “spastrim etnik, sulme ajrore, me artileri dhe të tjera kundër popullatës civile”.

Të enjten, në një postim në Twitter, Trump tha se SHBA-ja ka pasur tri zgjedhje: të dërgojë mijëra trupa (në Siri) dhe të fitojë ushtarakisht, të godasë rëndë Turqinë me sanksione ose të ndërmjetësojë një marrëveshje midis Turqisë dhe kurdëve.

“Shpresoj të jetë kjo e fundit”, u tha më pas Trump gazetarëve.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, i hodhi poshtë kritikat ndërkombëtare për operacionin në lindje të Lumit Eufrat, duke përsëritur se ofensiva ka për qëllim "të eliminojë terrorin" përgjatë kufijve të Turqisë.

“Që nga fillimi i operacionit, 109 terroristë janë vrarë”, tha Erdogan duke iu referuar luftëtarëve kurdë.

Më herët, ai ka thënë se dëshiron të krijojë një “zonë të sigurt” atje, ku edhe do të dërgonte miliona refugjatë sirianë.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha të premten se, në një takim me ministrin e Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, ka kërkuar vetëpërmbajtje.

"E kam thënë se pres nga Turqia të tregojë përmbajtje dhe të sigurojë se veprimet e saj në veri të Sirisë janë të matura dhe proporcionale dhe shmangin më shumë vuajtje të njerëzve”, tha Stoltenberg.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, tha se është thellësisht i shqetësuar nga rritja e dhunës.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara diskutoi të enjten për situatën në Siri, me kërkesën e pesë anëtareve të Bashkimit Evropian - Mbretërisë së Bashkuar, Francës, Gjermanisë, Belgjikës dhe Polonisë - të cilat kërkojnë që Turqia të ndalojë ofensivën e saj ushtarake/REL.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme