Botë

Hong Kongu i ndalon maskat në protesta

Autoritetet në Hong Kong miratuan me urgjencë një ligj, i cili i ndalon protestiesit të veshin maska.

Udhëheqësja ekzekutive e Hong Kongut, Carrie Lam, tha se kjo masë synon "të kthejë paqen" në kohën kur rendi publik "është në rrezik".

Protestat në Hong Kong kanë nisur tash e sa muaj, fillimisht kundër një ligji për ekstradimin, e cili më pas është tërhequr.

Protestat më pas janë zgjeruar në fushatë kundër Kinës, pasi, sipas protestuesve, Pekini po e rrit gjithnjë e më shumë ndërhyrjen në autonominë e Hong Kongut.

Ligji i ri, edhe pse nuk pritet të miratohet zyrtarisht nga legjislatura e Hong Kongut deri në mes të tetorit, do të hyjë në fuqi mesnatën e sotme.

Shumë protestues kanë dalë në rrugë duke veshur maska për të fshehur identitetin nga punëdhënësit, nga frika se autoritetet mund t'iu bëjnë presion bizneseve për t'i ndëshkuar ata.

Shkelësit e ligjit të ri do të përballen me dënim deri në një vit burgim dhe me gjobë deri në 3,200 dollarë.

Mbi 1,750 njerëz janë ndaluar deri më tani si rezultat i protestave.

Hong Kongu është pjesë e Kinës që nga viti 1997, por ka organizimin e vet të ligjit dhe qeverisjes, i njohur si “një shtet, dy sisteme”.