Botë

Regjistrimi i popullsisë në Maqedoninë e Veriut, në “qorrsokak”

Descriptive Text

Partitë politike nuk po gjejnë kompromis për regjistrimin e popullsisë në Maqedoni, që sipas ligjit të miratuar nga Qeveria duhet të zhvillohet në pranverën e vitit të ardhshëm.

Qeveria po kërkon kompromis nga opozita për të mos bojkotuar këtë operacion statistikor. Sipas burimeve nga grupet punuese, situata është ‘status quo’, për shkak se të dyja palët po mbajnë qëndrimet e tyre, shkruan gazeta ‘Nezavisen’, përcjell INA. Opozita kërkon që regjistrimi të zhvillohet në vitin 2021, me qëllim që ti jepet kohë përgatitjeve dhe të jetë një proces i udhëheqës nga një trup kolektiv profesional, që do të udhëhiqet nga drejtori i Entit Shtetëror Statistikor. Një nga pengesat është edhe ekipet në terren, ku kërkohet që të jenë nga dy deri në tre anëtarë që në terren të realizojnë regjistrimin, sidomos në zonat rurale.

Ndër dokumentet që duhet të kërkohen të mos jetë vetëm numri amë, por përfshirë edhe dokumente tjera si letërnjoftimi, certifikata e lindjes, pasaporta, por të saktësohen të dhënat për personat që jetojnë jashtë vendit. Të pamundësohet që regjistrimi i atyre që janë jashtë vendit të bëhet nga fqinjët apo miqtë, por nga familjarë tejet të afërt. Ligji për regjistrimin në Kuvend mund të miratohet me 61 vota, që nuk përbën problem për maxhorancën aktuale, por partitë e koalicionit synojnë kompromis me opozitën. Kostoja e regjistrimit do të jetë 8.5 milionë euro, ndërsa regjistrimi i fundit ishte në vitin 2002, ndërsa në 2011 dështoi procesi i filluar për numërimin e popullsisë në Maqedoninë e Veriut.