Botë

SHBA-ja zhvendos trupat brenda Evropës

Foto: Reuters

Para disa muajsh, presidenti i SHBA-së deklaroi zhvendosjen e trupave brenda Evropës. Tani marrëveshja është e plotë, Trump dhe homologu i tij polak Duda e nënshkruan atë.

Sipas marrëveshjes, trupat e SHBA-së do të përforcohen në Poloni me rreth 1000 ushtarë e më pas deri në 5500 forca. Presidenti Donald Trump dhe presidenti i Polonisë Andrzej Duda nënshkruan marrëveshjen në Nju Jork, ku të dy marrin pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Një marrëveshje parimore për këtë të dy krerët e shteteve e kanë vendosur në qershor gjatë vizitës së Dudas në Shtëpinë e Bardhë në Uashington. Fillimisht marrëveshja duhej nënshkruar në fillim të muajit në kuadër të vizitës së Trumpit në Varshavë. Por Trumpi e anuloi këtë udhëtim për shkak të uraganit në SHBA, raporton DW.

Polonia mbulon kostot

Trumpi tha në Nju Jork, se Polonia ka marrë përsipër të financojë infrastrukturën e nevojshme për ushtarët shtesë. Trupa shtesë do të dislokohen në Poloni duke u zhvendosur nga vendet e tjera të Evropës. Trumpi ka përmendur në këtë kontekst edhe tërheqjen e trupave të SHBA-së nga Gjermania.

Për shkak të shpenzimeve për mbrojtjen, presidenti i SHBA-së e ka Gjermaninë si halë në sy. Sipas tij, Gjermania nuk i përgjigjet detyrimeve brenda NATO-s, ankohet Trumpi vazhdimisht.

“Gjermania është në nivelin një për qind të shpenzimeve për mbrojtjen, ndërkohë që kuota duhet të jetë dy për qind”, argumenton Uashingtoni.

Në marrëveshjen mes Polonisë dhe SHBA-së janë përcaktuar edhe vendet e përforcimit të trupave amerikane, sikurse mësohet nga një deklaratë e përbashkët e publikuar në Poloni.

Kuartieri qendror i divizionit do të jetë në qytetin Poznan. Në deklaratë thuhet, se të dyja palët duan të vazhdojnë bisedimet lidhur me një vend të mundshëm për dislokimin e brigadës së tankeve të SHBA-së.

Varshava prej kohësh përpiqet për përforcimin e trupave amerikane. Shumë polakë e shohin SHBA-në si fuqi mbrojtëse kundrejt Rusisë, e cila për shkak të krizës në Ukrainë konsiderohet si rrezik në vendet e krahut lindor të NATO-s.