“Supremja” e konsideron të paligjshëm suspendimin e parlamentit britanik

24 September 2019 19:24

Gjykata Supreme e Mbretërisë së Bashkuar ka konstatuar se kryeministri Boris Johnson, veproi jashtëligjshëm kur e këshilloi mbretëreshën Elizabeth që ta suspendojë punën e parlamentit për një muaj, para afatit të fundit për dalje nga Bashkimi Evropian.

Vendimi ishte unanim për të gjithë 11 gjykatësit e “Supremes” britanike.

“Gjykata ka konstatuar se vendimi për ta këshilluar Lartmadhërinë e saj që t’i ndalë punimet e parlamentit është i jashtëligjshëm, sepse kishte efektin e frustrimit ose parandalimit të aftësisë së parlamentit që t’i vazhdojë funksionet e tij kushtetuese, pa ndonjë justifikim të arsyeshëm”, ka thënë Brenda Hale, kryetare e Gjykatës Supreme.

Parlamenti u suspendua nga 10 shtatori deri më 14 tetor. Ndalja e punës së parlamentit u aprovua nga mbretëresha Elizabeth, ashtu siç i kërkohej me kushtetutën e vendit.

Në vendimin e saj, Gjykata Supreme njoftoi se tani është në dorën e kryetarit të parlamentit që të vendosë se si të vazhdohet më tej. Ndërkaq, i menjëhershëm ishte reagimi i kryetarit në dorëheqje të parlamentit, John Bercow.

Ai deklaroi se parlamenti do të vazhdojë punën menjëherë, ashtu siç i takon me kushtetutë.

Kryeministri Boris Johnson, që aktualisht ndodhet në Shtetet e Bashkuara, për të marrë pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ka deklaruar se do ta respektojë vendimin e Gjykatës Supreme, ani pse nuk pajtohet me të, ndërsa ka shtuar se përkundër këtij vendimi të Gjykatës Supreme, Britania deri më 31 tetor largohet nga Bashkimi Evropian.

E kundërshtari i tij, opozitari laburist Jeremy Corbyn, ka kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit.

“Kërkesa që ai t’i bindet ligjit ka kaluar në parlament dhe parlamenti i zgjedhur me votat e popullit tonë duhet t’i kërkojë përgjegjësi qeverisë. Një qeveri laburiste do të donte të merrte përgjegjësi. Ne nuk do ta shkelnim demokracinë dhe e ftoj Boris Johnsonin që ta konsiderojë dorëheqjen”, ka thënë Jeremy Corbyn, kreu i opozitës britanike.

Jashtë objektit të Gjykatës Supreme u organizua një protestë kundër kryeministrit Johnson.

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme