Botë

Për 12 vjet mbi 30 mijë nxënës më pak në shkollat e Maqedonisë së Veriut

Shkollat fillore në Maqedoninë e Veriut po zbrazen dita ditës. Numri i nxënësve po pakësohet dhe se kjo dukuri po ndodhë si pasojë e shpërnguljes së madhe dhe të vazhdueshme të shumë familjeve, përcjellë INA.

Trendi i rritjes është shqetësues gjatë këtij viti, pasi që shumica e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut që kanë përfituar letrat e punës në Gjermani dhe vendet e tjera të BE-së, tanimë kanë realizuar procedurat dhe kanë plotësuar kushtet për tërheqjen edhe të familjeve të tyre. Një pjesë e madhe tashmë ka arritur që të marrë familjet, ndërsa në procedurë janë edhe shumë familje të tjera. Kjo situatë ka ndikuar që të ketë rënie të numrit të nxënësve edhe nëpër shkolla.

Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, nga viti 2007 deri në vitin 2018, numri i nxënësve në shkollat e arsimit të ulët ka rënë për 30.293 nxënës.

“Në arsimin fillor, nga viti në vit zvogëlohet numri i gjeneratës hyrëse në arsimin fillor, si dhe numri i përgjithshëm i nxënësve. Numri i nxënësve të regjistruar në arsimin fillor në vitin shkollor 2017/2018 është më i vogël për 13.5% në krahasim me viti shkollor 2007/2008” – thuhet në raportin zyrtar të Entit Statistikor.

Shumë shkolla thonë se secilin vit ka rënie të numrit të nxënësve dhe se ky trend është shqetësues pasi që do të ndodhë mbyllja e paraleleve dhe mbetja e mësimdhënësve pa punë. Kjo dukuri tashmë është evidente në disa shkolla. Një trend i njëjtë i uljes së numrit të nxënësve po ndodhë edhe në shkollat e mesme në mbarë vendin.