Botë

Stuhi breshëri dhe tornado në Spanjë, mbi 9 mijë rrufe brenda 6 orëve

Descriptive Text

Stuhitë e breshrit dhe fenomene të tjera natyrore goditën të hënën kryeqytetin spanjoll të Madridit dhe zonat jugore. Vendi prej orësh po përshkohet nga masa të paqëndrueshme që do të lëvizin edhe në Europën Qendrore dhe Lindore dhe në disa shtete të Ballkanit.

Rajoni i Madridit u godit nga një stuhi e fuqishme breshri të hënën në mbrëmje. Reshjet shkaktuan bllokimin e rrugëve, pezulluan linjat e metrosë nëntokësore të kryeqytetit dhe devijuan disa fluturime.

Zjarrfikësit iu përgjigjën më shumë se një mijë telefonatave për ndihmë nga rënia e degëve të pemëve ose përmbytja e garazheve dhe bodrumeve.

Agjencia Meteorologjike vendore njoftoi se në harkun kohor të 6 orëve u raportuan mbi 9,300 goditje rrufesh.

Bashkia më e goditur nga stuhia ishte Arganda del Rej, në juglindje të kryeqytetit.

Në 20 minuta, breshëri veçanërisht i fortë kontribuoi në përmbytjen e rrugëve kryesore, duke zhvendosur makinat e parkuara apo mobiliet në rrugë.

Ndërkohë më në jug të vendit, banorët e qytetit të Malagës u bënë dëshmitarë të një tornadoje, që shkaktoi vetëm dëme materiale në pemë dhe linjat elektrike të zonës.

Meteorologët thonë se dukuri të tilla natyrore janë të zakonshme për muajin e gushtit, para përfundimit të sezonit veror.

Dy masa të paqëndrueshme ajrore që po qarkullojnë në Europën Qendrore dhe atë Lindore, përpos shteteve baltike, pritet të sjellin në orët në vijim stuhi të forta shiu edhe në Gjermani, Mbretërinë e Bashkuar dhe Rusi.

Si pasojë e takimit të masave ajrore të ngrohta me ato të lagështa, gjatë mbasdites reshjet do të lëvizin edhe në pjesë të rajonit të Ballkanit, si në Kroaci, Bosnjë-Hercegovinë dhe Malin e Zi/oranews.

https://www.youtube.com/watch?v=lYtH1TlOEWQ