Botë

Këshilli ushtarak e opozita në Sudan pajtohen për formimin e këshillit drejtues

Foto: Reuters

Këshilli ushtarak në pushtet i Sudanit dhe aleanca e opozitës civile kanë nënshkruar të shtunën një marrëveshje të përbashkët për ndarjen e pushtetit.

Marrëveshja parasheh krijimin e një këshill të ri drejtues, të përbërë nga gjashtë civilë dhe pesë gjeneralë, i cili do ta drejtojë vendin deri në zgjedhjet e reja, raporton Reuters.

Të dyja palët kanë rënë dakord që ta mbajnë me rrotacion kontrollin e këshillit për 3 vjet radhazi, ndërkohë që një kryeministër nga radhët e civilëve do të emërohet javën e ardhshme, transmeton KTV.

Komandanti i RSF-së, Mohamed Hamdan "Hemeti" Dagolo, i konsideruar si njeriu më i fuqishëm i Sudanit, është zotuar se do të respektojë kushtet e marrëveshjes.

“Ne do të qëndrojmë prapa çdo letre që kemi nënshkruar”, ka thënë ai, pas ceremonisë së nënshkrimit.

Hemeti ka shtuar se do të punojnë, sepse marrëveshja është në interesin e vendit.