Nga të shtënat afër Universitetit në Alabama, 2 të vrarë e 3 të plagosur

Nga të shtënat afër Universitetit në Alabama, 2 të vrarë e 3 të plagosur

16 August 2019 09:47

Të paktën 2 persona janë vrarë dhe 3 të tjerë kanë mbetur të plagosur mbrëmjen e së enjtes (15 gusht) në shtetin jugor të Alabamës, në SHBA.

Policia e kryeqytetit Montgomeri informoi se të shtënat u raportuan rreth orës 19:15 me orën lokale afër Universitetit Shtetëror të Alabamës.

Njëri nga viktimat u gjet i vdekur në vendngjarje, një person i dytë nuk arriti të mbijetojë edhe pas ndihmës spitalore, ndërsa tre të tjerë morën plagë pa rrezik për jetën.

Bëhet e ditur se ngjarja ndodhi jashtë kampit universtar, pranë një biznesi privat, ndërsa nuk janë qartësuar rrethanat dhe vijojnë kërkimet për autorët.

Përplasja e fundit me armë vjen rreth dy javë pas masakrave që tronditën shtetet e Ohajos dhe Teksasit, ku humbën jetën të paktën 31 persona.

Autoritetet njoftuan të enjten se autori i masakrës së Dejtonit në Ohajo, i cili u ekzekutua nga policia natën e 4 gushtit, e kishte kryer krimin nën efektin e alkoolit, kokainës dhe ilaçeve kundër depresionit.

24-vjeçari u mori jetën 9 personave, ndërsa 22 të tjerë u vranë në qytetin kufitar të El Pasos në Teksas, për shkak të prejardhjes së tyre hispanike.

Ngjarjet e fundit kanë hapur debatin për kufizimin e ligjit për armëmbajtjen në vend.

Presidenti Donald Trump përsëriti të enjten se çdo person që zotëron një armë duhet të skanohet rigorozisht nga sistemi i drejtësisë dhe ai penal.

Ai i mëshoi idesë se masakrat mund të parandalohen nëse denoncohen personat me çrregullime mendore/oranews.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme