Botë

Britanikët mbështesin Brexitin me çdo mënyrë

Britanikët mbështesin daljen e vendit nga Bashkimi Europian me çdo mënyrë dhe po qe nevoja edhe pa një marrëveshje me Brukselin. Kështu thotë një sondazh, sipas të cilit të anketuarit shprehen pro edhe opsionit të pezullimit të Parlamentit, vetëm e vetëm që Brexit të mos pengohet.

Shumica e britanikëve besojnë se kryeministri Boris Johnson duhet ta nxjerrë Britaninë nga Bashkimi Europian me të gjitha mjetet, edhe nëse kjo do të thotë të pezullojë Parlamentin. Kështu thotë një sondazh i kryer nga “Dayli Telegraph”.

Johnson ka premtuar se do ta nxjerrë Mbretërinë e Bashkuar nga Unioni më 31 tetor, pavarësisht nëse arrin apo jo të sigurojë një marrëveshje daljeje me Brukselin dhe pavarësisht kundërshtimeve në Parlament ndaj daljes pa një marrëveshje.

Sondazhi tregon se 54 për qind e të intervistuarve u shprehën pro kur u pyetën nëse Johnson Duhet ta pezullojë parlamentin në mënyrë që ligjvënësit të mos e pengojnë Brexitin.

Ndërkohë, sërish sipas sondazhit, 46 për qind të tjerë u shprehën kundër këtij opsioni. Rezultati i anketimit u bazua në përgjigjet e 1 mijë e 645 personave, ndërkohë që ata që thanë se nuk kishin një ide mbi atë që duhet të ndodhë nuk u llogaritën.

I njëjti sondazh tregoi se mbështetja për Partinë Konservatore është rritur me 6 pikë duke arritur në 31 për qind, kundrejt 27 për qind që është mbështetja për Partinë Liberale.

Konstatimet janë në të njëjtën linjë me sondazhe të tjera që tregojnë një rritje të mbështetjes për Konservatorët, që kur Johnson mori drejtimin pas Theresa May./ABC News