Serbia armatoset nga Rusia, Vuçiqi krenohet që kjo u bë “edhe përkundër kundërshtimit të NATO-s” Foto: Tanjug

Serbia armatoset nga Rusia, Vuçiqi krenohet që kjo u bë “edhe përkundër kundërshtimit të NATO-s”

29 July 2019 10:30

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në kazermën ushtarake të Nishit “Mija Stanimiroviq”, ka prezantuar 10 automjete të blinduara BRDM 2, të ardhura nga Federata Ruse, dhe tha se këto janë dhurata nga Rusia, për çka ka falënderuar presidentit rus, Vladimir Putin.

“Nuk kemi plane pushtimi, por vetëm si të mbrojmë në mënyrën më të mirë vendin tonë”, tha Vuçiqi, raporton agjencia serbe e lajmeve “Fonet”.

Bashkë me Vuçiqin ishin edhe ministri serb i mbrojtjes, Aleksandar Vulin, Shefi i Shtabit të ushtrisë serbe, Milan Mojsiloviq, sikurse edhe ambasadori i ri rus në Serbi, Aleksandar Bocan-Harçenko, të cilit Vuçiqi i tha: “Falënderojeni presidentin (Vladimir) Putin dhe ministrin (Sergei) Shoigu”.

Ai tha se për këto automjete, Serbia s’ka paguar asnjë dinar dhe se bëhet fjalë për dhuratë, transmeton Koha.net.

“Po vijnë edhe ato për të cilat kemi paguar, katër (helikopterë të mëdhenj) Mi-35 dhe tre (helikopterë) Mi-17, shtatë helikopterë, ndërsa po vijnë edhe dhuratat”, shtoi ai.

“Pritet të vijnë edhe 10 tanke dhe këto kanë ardhur edhe përkundër kundërshtimit të NATO-s”, shtoi ai.

Vuçiqi nuk ka dashur të flasë rreth mënyrës se si kanë arritur automjetet nga Rusia, pasi Rumania dhe Bullgaria, si anëtare të NATO-s, nuk kanë lejuar që ato të transportoheshin përmes territoreve të tyre.

“Nuk do të doja të flisja, duke respektuar një të drejtë publike ndërkombëtare dhe detyrimet kontraktuale me Federatën Ruse, por ia dolëm që t’i sjellim automjetet në territorin e Serbisë”, tha presidenti serb, Vuçiq.

Ambasadori rus në Beograd, Bocan-Harçankeo, tha se Rusia është gjithmonë e gatshme për bashkëpunim ushtarako-teknik me Serbinë.

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme