Botë

Ministrat britanikë paralajmërojnë dorëheqjen shkaku i Johnsonit

Ministrat kryesorë të partisë konservatore pritet të japin dorëheqje nga qeveria e Britanisë së Madhe për shkak të kryeministrit të ri Boris Johnson.

Lideri i ri i partisë konservatore që u zgjodh të martën, ka premtuar se do t’i prijë Britanisë në largimin nga Bashkimi Evropian, me ose pa marrëveshje, deri në fund të muajit tetor.

Dy zëvendësministra tashmë kanë dhënë dorëheqje shkaku i planeve të Johnsonit, por ministri i Financave Philip Hammond dhe ministri i Drejtësisë, David Gauke, deklaruan se do të japin dorëheqje para se të shkarkohen, transmeton KTV.

Dorëheqjen e ka paralajmëruar edhe Rory Stewart, sekretar i Kabinetit për zhvillimet ndërkombëtare.

Shumë investitorë dhe ekonomistë kanë paralajmëruar se largimi i Britanisë nga BE-ja pa marrëveshje do të trazonte tregjet botërore dhe do ta kthente Britaninë në një recesion ose kaos ekonomik.