Stoltenberg: Duhet të përgatitemi për një botë me më shumë raketa ruse Foto: Reuters

Stoltenberg: Duhet të përgatitemi për një botë me më shumë raketa ruse

18 July 2019 08:45

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se koha për të shpëtuar një marrëveshje të rëndësishme për kontrollin e armëve me Rusinë po kalon.

"Kjo është serioze. Traktati i Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme ka qenë i rëndësishëm për kontrollin e armëve për dekada të tëra dhe tani po shohim vdekjen e tij", tha Stoltenberg në një intervistë për BBC-në.

"Duhet të jemi të përgatitur për një botë me më shumë raketa ruse", shtoi ai.

Traktati i vitit 1987, i nënshkruar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi i atëhershëm Sovjetik, ka ndaluar raketat bërthamore me rreze të shkurtër dhe të mesme, transmeton rel.

Në muajin shkurt, SHBA-ja e pezulloi pjesëmarrjen në këtë traktat, duke e akuzuar Rusinë për zhvillimin e një sistemi raketor që e shkel atë.

Rusia i mohoi akuzat, por po ashtu e pezulloi pjesëmarrjen në traktat dhe njoftoi se ka plane për zhvillimin e sistemeve të reja të armëve.

Stoltenberg premtoi një përgjigje "të matur dhe mbrojtëse", nëse Rusia nuk i kthehet zbatimit të traktatit deri në afatin e 2 gushtit.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme