Botë

DAESH ekzekuton 40 të burgosur në Kirkuk të Irakut

Grupi terrorist DAESH ka ekzekutuar 40 të burgosur në provincën veriore Kirkuk në Irak, bëri të ditur sot një oficer i policisë irakiane.

“Ata u ekzekutuan me akuza se kanë ikur nga fushë beteja gjatë luftës kundër forcave të sigurisë”, tha për AA, kapiteni Hamed al-Obeidi.

Zyrtari irakian tha se DAESH, duke pasur frikë nga revoltat, po përpiqej të zbrazte burgjet në qarkun Hawija në provincën perëndimore të Kirkukut.

DAESH ende kontrollon një zonë të madhe në Kirkukun jugperëndimor nga ku ndërmerr sulme kundër forcave të sigurisë në provincat Kirkuk dhe Diyala.

Forcat irakiane, mbështetur nga aeroplanët e koalicionit të udhëhequr nga SHBA, aktualisht janë të angazhuar në një ofensive masive për të dëbuar grupin terrorist nga Mosuli, qyteti i dytë më i madh i Irakut në aspektin e popullsisë.