Roja bregdetare amerikane kap nëndetësen me 7 tonelata kokainë

Roja bregdetare amerikane kap nëndetësen me 7 tonelata kokainë

12 July 2019 18:53

Përmes një aksioni në det të hapur, Roja Bregdetare amerikane ka sekuestruar një nëndetëse të mbushur me kokainë. Kanë qenë vetë autoritetet amerikane që kanë publikuar videon e aksionit, i ngjashëm me skenat e filmave aksion.

Roja bregdetare amerikane ka sekuestruar një nëndetëse të përdorur nga trafikantët e drogës për të transportuar lëndë narkotike nga Amerika Latine drejt Shteteve të Bashkuara.

Ka qenë vetë Roja Bregdetare që ka publikuar videon e kapjes së nëndetëses në ujërat e oqeanit Paqësor, skenë e ngjashme me ato të filmave të Hollivudit. Agjentët janë hedhur nga varka e tyre mbi nëndetëse dhe e kanë detyruar atë të ndalojë.

Aksioni është mbyllur me arrestimin e 5 anëtarëve të ekuipazhit dhe sekuestrimin e 7 tonelatave kokainë. Në katër vitet e fundit autoritetet amerikane kanë konstatuar një shumëfishim të aktiviteteve të karteleve të drogës nga Amerika e Jugut dhe ajo Qendrore, të cilat përdorin nëndetëse të tilla për të trafikuar kokainën.

Këto mjete lundruese janë të shtrenjta për t’u ndërtuar dhe karteleve u duhet të punojnë thellë në xhungël për të mos u kapur nga policia ose ushtria. Me t’u mbushur me drogë, ato vihen në lëvizje dhe sipas autoriteteve amerikane, janë të vështira për t’u zbuluar pa patur informacionin e duhur dhe një mbikëqyrje ajrore.

“Pjesa kryesore e trupit të nëndetëses ndodhet nën ujë, ndaj janë të vështira për t’u zbuluar. Për më tepër, ato lyhen me ngjyrë blu, në përputhje me ngjyrën e detit”, ka deklaruar një zyrtar i DEA-s.

Rrjedhimisht, Roja Bregdetare ndalon vetëm 11 për qind të mjeteve lundruese që kalojnë përmes Paqësorit lindor, një zonë që ka përmasat e tërë Shteteve të Bashkuara./ABC News.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme