Botë

Mogherini dhe Hahni: Përpjekjet për të rishkruar historinë janë të papranueshme

Dy zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian, të cilëve u ka kaluar mandati, Federica Mogherini, përfaqësuese e Lartë e BE-së dhe Johanes Hahn, komisionar për Zgjerim, thanë se është detyrë e përbashkët, që të kujtojmë gjithmonë Srebrenicën si një nga “momentet më të errëta të njerëzimit në historinë moderne evropiane.

“Nuk ka vend për retorikë nxitëse, mohim, revizionizëm apo madhështimin e kriminelëve të luftës. Përpjekjet për të rishkruar historinë, në Bosnjë dhe Hercegovinë apo gjetkë janë të papranueshme", porositën Mogherini dhe Hahn përmes një deklarate të përbashkët, në përkujtim të masakrës së Srebrenicës, përcjell rel. 

Dy përfaqësuesit evropianë, të cilët në pesë vitet e kaluar kanë pasur punë drejtpërdrejtë me vendet e Ballkanit, nënvizuan nevojën për t'i dhënë fund mosndëshkimit dhe për të kapërcyer trashëgiminë e kaluar.

Sot, shënohet 24-vjetori i Masakrës së Srebrenicës, në të cilën forcat serbe të Bosnjës vranë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë.

Masakra e Srebrenicës është cilësuar si më e rënda në Evropë që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ndërsa nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës është njohur si gjenocid.