Botë

Urdhërarrest për mbi 170 shërbyes të tjerë ushtarakë në Turqi

Turqia urdhëroi arrestimin e 176 shërbyesve ushtarakë, për lidhje të dyshuara me rrjetin që Ankaraja e fajëson për përpjekjen për grushtshtet, tre vjet më parë.

Në njoftimin e prokurorisë thuhet se në mesin e atyre që përballen me arrestim janë: një kolonel, dy nënkolonelë, pesë majorë dhe shtatë kapitenë.

Operacioni përfshin ushtrinë, forcën ajrore dhe atë detare, thuhet në njoftim.

Ankaraja thotë se kleriku mysliman, Fethullah Gulen, e ka organizuar përpjekjen për puç në Turqi, më 15 korrik të vitit 2016.

Gulen, i cili jeton në Shtetet e Bashkuara, e mohon përfshirjen.

Në përndjekjen trevjeçare të autoriteteve, mbi 77,000 njerëz janë burgosur dhe rreth 150,000 shërbyes civilë dhe të tjerë janë pushuar ose suspenduar nga puna.

Gjermanisë i duhen prova për ta shpallur lëvizjen e Gulenit "terroriste"

Aleatët perëndimorë të Turqisë dhe grupet e të drejtave të njeriut kanë kritikuar shkallën e përndjekjes, duke thënë se presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, e ka përdorur puçin e dështuar si pretekst për të heshtur kundërshtarët.

Ankaraja ka thënë se veprimet e tilla janë të domosdoshme përballë shkallës së kërcënimeve për sigurinë.