Kroacia përforcon kufirin ndaj imigrantëve që synojnë Italinë

08 July 2019 19:58

Kroacia ka përforcuar pikëkalimin kufitar me Slloveninë në Maljevac, me qëllim që të parandalojë hyrjen e imigrantëve ilegalë që ia kanë mësyrë Italisë.

Shteti italian është duke i rezistuar ashpër hyrjeve ilegale nga Deti Mesdhe, por gjatë ditëve të fundit imigrantët synojnë që nga toka përmes “rrugës ballkanike” të kalojnë fillimisht në Slloveni e si stacion të fundit, të kenë Italinë.

Kroacia ka kërcënuar me vendosjen e telave me gjemba, duke tensionuar situatën andej e këtej kufirit, transmeton KTV. Patrullim të shtuar ka pasur edhe në Velika Kladusa, pasi Kroacia është vija e parë e mbrojtjes kundër mijëra imigrantëve që ilegalisht po tentojnë të hyjnë në Kroaci.

Autoritetet kufitare deklaruan se gjatë tërë vitit të shkuar janë regjistruar vetëm 50 kalime ilegale, ndërsa vetëm në gjashtë muajt e parë të vitit 2019 janë regjistruar 179 kalime ilegale. Vendosja e telave me gjemba vjen si përgjigje e asaj se çfarë ndodhi në tetorin e vitit të kaluar, kur qindra imigrantë u përplasën me forcat policore të Kroacisë.

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme