Botë

The Guardian: Britanikët i kthejnë shpinën himnit evropian

Për shumëkënd dritpamës dhe emocionmbartur, i urtë dhe vëzhgues sqimë, ajo që ndodhi në Parlamentin Evropian në orën 11:10 të datës 2 korrik 2019, është vërtetë një gjest i pahijshëm, por nuk është dhe aq befasues. Nuk bëhet fjalë vetëm për mungesë etike, por edhe për mungesë respekti, për një union parlamentar, për përfaqësuesit e 28 vendeve të Europës, dhe për një kryevepër të të madhit të të mëdhenjve, Ludvig Van Beethoven.

Nigel Farage dhe partia e tij Brexit, deputetët e BE-së, u kthyen në shpinë, dje gjatë interpretimit të himnit evropian në një ceremoni solemne, zhvilluar me rastin hapjes së sesionit të ri të Parlamentit Evropian, transmeton KultPlus.

Një kuartet me saksofon dhe këngëtari i operës, interpretuan një Ode të gëzueshme të Beethoven-it në sallën e Strasburg-ut, në ditën e parë të parlamentit të ri, ndërkohë që 29 deputetë të Partisë Brexit i kthyen të pasmet një solemniteti të tillë.

Presidenti i parlamentit evropian, Antonio Tajani, i qortoi deputetët, të cilëve u bëri me dije se kjo është një çështje respekti dhe kurrsesi një diversitet pikëpamjesh. Ai u kujtoi atyre se është etike se kudo kur këndohet himni jeni të detyruar të ngriheni në këmbë.

Drejtuesi i punimeve të Parlamentit Evropian, Richard Corbett, gjestin e deputetëve të Brexit e etiketoi si patetik.

Më shumë se tre muaj, pasi Britania kishte planifikuar të largohej nga BE-ja, 73 eurodeputetët britanikë kanë mbërritur në Strasburg për të qenë pjesë e një mandati që do të skadojë më 31 tetor.