Botë

Kroatja Marija Pejçinoviq Buriq zgjidhet sekretare e përgjithshme e Këshillit të Evropës

Kuvendi dje zgjodhi ministren e Jashtme kroate, Marija Pejçinoviq Buriq sekretare të përgjithshëm të Këshillit të Evropës për një mandat pesëvjeçar, duke filluar më 18 shtator 2019. Siç transmeton Shekulli, në raundin e parë të zgjedhjeve, Marija Pejçinoviq Buriq mori 159 vota, një shumicë absolute, ndërsa ministri i jashtëm belg Didier Reynders mori 105 vota. Në total, ka pasur 264 vota të hedhura.

Në fjalimin e saj pas zgjedhjeve, Pejçinoviq Buriq tha se Këshilli i Evropës është një nga organizatat më të rëndësishme që sot duhet të nxisë dialogun brenda vetë organizatës, por edhe midis shteteve anëtare. “Pra, me të vërtetë dëshiroj dhe shpresoj që përkrahja juaj, që gjatë mandatit tim, do të punojmë së bashku në qëllimet themelore të kësaj organizate, që është paqe dhe prosperitet për të gjithë qytetarët evropianë”, tha Pejçinoviq Buriq.

Marija Pejçinoviq Buriq aktualisht është zëvendëskryeministre dhe ministre e Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Republikës së Kroacisë që prej datës 19 qershor 2017. Më parë ajo ishte sekretare e Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Kroacisë (20016-2017), e edhe më herët ajo punoi si një konsulente private dhe ishte anëtar i HDZ në Parlamentin e Kroacisë (2008-2011).