Botë

Kandidatët presidencialë përplasen rreth migrimit në SHBA

Kandidatët demokratë për president të Shteteve të Bashkuara janë përplasur rreth sistemit të sigurimit shëndetësor dhe politikave për kufirin, në debatin e parë që është mbajtur gati 16 muaj para se amerikanët të votojnë.

Në raundin e parë të debateve, shumë kandidatë që nuk kanë shumë nam, kanë synuar të fitojnë vëmendje, ashtu që të mposhtin presidentin aktual, Donald Trump, në zgjedhjet e nëntorit të vitit 2020, transmeton agjencia e lajmeve, Reuters.

Ata kanë sulmuar vazhdimisht Trumpin, duke thënë se politikat ekonomike të tij janë rezultat i punës së madhe të amerikanëve, dhe kanë konsideruar qasjen e tij për kufirin si tejet të ashpër.

“Më 20 janar, 2021, ne i themi ‘lamtumirë’ Donald Trumpit”, ka thënë kandidati, Jualian Castro.

Mirëpo ata kanë dalë kundër qëndrimeve të njëri-tjetrit, duke shënjestruar kryesisht, kandidatin, Beto O’Rourke. Ish-kongresisti është përplasur me Castron për politikat rreth kufirit, si dhe me kryetarin e New Yorkut, Bill de Blasio, në çështjet shëndetësore.

Beteja për sigurim shëndetësor ka nisur kur kandidatët janë pyetur të ngritin dorën nëse do të mbështesnin eliminimin e sigurimit privat shëndetësor. Vetëm senatorja, Elizabeth Warren dhe de Blasio janë pajtuar, për të sfiduar tetë kandidatët tjerë në skenë.

Warren, lidere e krahut progresiv të partisë, ka thënë se sigurimi privat shëndetësor është duke përfituar nga amerikanët. Prandaj ajo ka mbështetur sigurimin shëndetësor të sponsoruar nga qeveria, dhe ka kritikuar atë që besojnë se një gjë e tillë nuk është e mundshme.

“Çfarë thonë ata është se nuk do të luftojnë për këtë çështje. Sigurimi shëndetësor është e drejtë bazike dhe unë do të luftoj për këtë”, është shprehur ajo.

Ish-përfaqësuesi amerikan, John Delaney, një kritik i ashpër i konceptit për sigurim shëndetësor të siguruar nga shteti, ka thënë se demokratët nuk duhet të eliminojnë një sistem me të cilën janë të kënaqur disa amerikanë.

“Besoj se ne duhet të jemi partia që mirëmban atë që është duke funksionuar dhe rregullon pjesët e dëmtuara”, ka deklaruar, Delaney.

Sigurim Shëndetësor për të gjithë, politikë e shtyrë përpara nga Warren dhe kandidati tjetër, Bernie Sanders, që ka fituar edhe përkrahje në Kongres, parasheh krijimin e një plani të drejtuar nga qeveria, që eliminon sistemet private të sigurimit shëndetësor.

Debat i mërzitshëm?

Kandidati, O’Rourke, është sulmuar nga garuesi tjetër, Castro edhe rreth ndarjes së familjeve dhe ndalimit të migrantëve në kufirin jugor me Meksikën. Castro ka thënë se do të legalizonte kalimet kufitare të migrantëve, pasi një vendim i kundërt ka rezultuar me ndarje të familjeve dhe ka kërkuar ndihmën e kandidatëve tjerë.

O’Rourke ka thënë se si kongresist ka ndihmuar në hartimin e një projektligji, që do të siguronte ata që kërkojnë azil apo statusin e refugjatit në SHBA, nuk do të ndalohen.

Castro në anën tjetër i është përgjigjur: Nuk jam duke folur për ata që kërkojnë azil, por për gjithë të tjetrët”.

Presidenti Trump ka thënë pak se të niste debati se nuk do ta komentonte atë në rrjetin social, Twitter. Mirëpo pak kohë pasi kanë nisur diskutimet, ai postuar vetëm një fjalë: “E mërzitshme”.

“Ky debat ka qenë argumentimi më i mirë për rizgjedhje të presidentit Trump”, ka thënë zëdhënësja e fushatës së Trumpit, Kayleigh McEnany më vonë.

Ky debat është konsideruar mundësi për disa kandidatë, që të largohen nga hija e kandidatit Joe Biden, që ka mbajtur pozitën e nën-kryetarit të Shtetit, gjatë udhëheqësisë së ish-presidentit Barack Obama, apo edhe senatorit, Bernie Sanders.

Fushata për zgjedhjet e vitit 2020, pritet të jetë një nga organizimet më të shtrenjta dhe më të ashpra në historinë e zgjedhjeve amerikane.

Një gjë e tillë është thënë të jetë reflektim i politikave të Trumpit, gjatë udhëheqësisë së tij.

Sipas të përditshmes, The New York Times, senatori, Cory Booker, ka pasur më së shumti kohë për të prezantuar idetë e tij, në total 11 minuta, duke u përcjellur nga O’Rourke, Warren dhe Castro.

Numri i kandidatëve demokratë do të fillojë të zvogëlohet në shkurt të vitit 2020, kur shtetet të fillojnë të mbajnë rrethim e parë të zgjedhjeve, çka do të rezultojë edhe nominim të një kandidati.

Trump në anën tjetër deri më tash ka vetëm një kundërkandidat në radhët e republikanëve: një ish-guvernator shteti. /REL