Botë

Kandidatët demokratë për president të SHBA-së zhvillojnë debatin e parë

Kandidatët demokratë për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë qenë pjesë e debatit të parë televiziv, gati 16 muaj para se amerikanët të votojnë.

Në debatin e 26 qershorit kanë marrë pjesë 10 demokratë, që synojnë të parandalojnë fitoren e Donald Trumpit si president i SHBA-së, për një mandat të dytë.

Në total, 24 persona po garojnë për të fituar nominimin e Partisë Demokratike në mënyrë që ta sfidojnë Trumpin, që nënkupton se organizatorët e debatit janë detyruar të planifikojnë dy net për këto diskutime, ashtu që të gjithë kandidatët të jenë pjesëmarrës.

Debati i parë, siç raporton Rel, është fokusuar në çështjet e brendshme të SHBA-së: ekonomi, vende pune, sigurim shëndetësor dhe imigrim.

Tensionet me Iranin janë përmendur shumë pak, dhe shumica e kandidatëve kanë thënë se ata do të mbështesnin marrëveshjen bërthamiore, që Teherani ka nënshkruar me fuqitë botërore më 2015, por nga e cila SHBA-ja është larguar një vit më parë.

Fushata për zgjedhjet e vitit 2020, pritet të jetë një nga organizimet më të shtrenjta dhe më të ashpra në historinë e zgjedhjeve amerikane.

Një gjë e tillë është thënë të jetë reflektim i politikave të Trumpit, gjatë udhëheqësisë së tij.

Në mesin e kandidatëve të mirënjohuar janë, Joe Biden, i cili ka mbajtur pozitën e nën-kryetarit të Shtetit gjatë udhëheqësisë së ish-presidentit, Barack Obama dhe Bernie Sanders, senator amerikan, që ka qenë pjesë e fushatës së vitit 2016 për president, mirëpo është mposhtur nga Hillary Clinton.

Garues tjerë janë edhe, senatorja amerikane, Elizabeth Warren, dhe senatorja tjetër, Kamala Harris.

Numri i kandidatëve demokratë do të fillojë të zvogëlohet në shkurt të vitit 2020, kur shtetet të fillojnë të mbajnë rrethim e parë të zgjedhjeve, çka do të rezultojë edhe nominim të një kandidati.

Trump në anën tjetër deri më tash ka vetëm një kundërkandidat në radhët e republikanëve: një ish-guvernator shteti.