Botë

Rivotimi në Stamboll përcakton drejtimin e demokracisë së trazuar të Turqisë

Ndërsa përsëriten zgjedhjet lokale në Stamboll, disa anketime treguan në avantazh kandidatin e opozitës Ekrem Imamoglu, i cili pati fituar zgjedhjet e anuluara të datës 31 mars. Edhe sot, opozita u fokusua tek mesazhi i ndreqjes së demokracisë së dëmtuar të vendit dhe tek varfëria urbane që është zgjeruar që pas recensionit të vitit 2018. Nëse Imamoglu fiton edhe rivotimin e sotshëm, Stambolli shkëputet pas 25 vitesh nga kontrolli i partisë së presidentit Erdogan.

Përsëritja e votimeve në qytetin më të madh të Turqisë mund të sjellë humbjen e kontrollit mbi Stambollin nga Presidenti Recep Tayyip Erdogan dhe administrata e tij për herë të parë pas 25 vitesh.

Kandidati i opozitës 49-vjeçari Ekrem Imamoglu, i partisë CHP, fitoi me rezultat të ngushtë ndaj kandidatit të qeverisë në zgjedhjet lokale të 31 marsit dhe madje mori detyrën e kryetarit të bashkisë së Stambollit për vetëm tre javë.

Zgjedhjet u anuluan pasi qeveria ankimoi parregullsitë procedurale dhe procesin e rinumërimit.

Pas fitores së parë dhe një zmbrapsjeje të hidhur ndaj kontrollit të presidentit Erdogan, Imamoglu u fokusua gjatë ripërballjes së ashpër elektorale tek varfëria në qytete, pasi vendi hyri në recension në fund të vitit të kaluar.

“Këtu nuk zgjidhet vetëm kryebashkiaku i Stambollit. Është njëkohësisht dita për të riparuar demokracinë nga dëmi i procesit të paligjshëm që i është imponuar vendit tonë. Kjo është kutia e votimit për ta riparuar atë”, deklaroi zoti Imamoglu.

Kandidati i mazhorancës, 63-vjeçari Binali Yildirim, një ish-kryeministër i vendit dhe ministër i hershëm i transporteve në qeveritë Erdogan, rezultonte në disavantazh në disa prej anketimeve të zhvilluara. Ai megjithatë dha një mesazh paqtimi në ditën e rivotimeve:

“Mendoj se sot është dita të lëmë mënjanë hatërmbetjet dhe të përqendrohemi tek e ardhmja. Nëse kam bërë ndonjë gabim, ose nëse jam treguar i padrejtë me rivalët dhe banorët, me apo pa dashje, tani u kërkoj bekimin e tyre. Shpresoj që zgjedhjet t’i shërbejnë të mirës së vendit”, deklaroi Binali Yildirim, kandidati i partisë në pushtet AK.

Vetë Kryeministri Erdogan u shfaq në mbështetje të ish-kryeministrit të tij dhe në vijën e parë të një fushate elektorale për këto zgjedhje të pjesshme lokale që perceptohen si një referendum për politikat e tij dhe si një test për demokracinë e trazuar të Turqisë.

“Do të ishte e dobishme të fillonim një konsolidim të (qeverisë) Ankarasë dhe të Stambollit (bashkisë). Mendoj se votuesit e Stambollit do të japin verdiktin e duhur”, deklaroi presidenti Erdogan.

Me një popullsi të regjistruar prej 10.56 milionë banorësh, Stambolli përfaqëson 1/5-ën e vendit me popullsi prej 82 milionë banorësh./VOA/