Botë

Francezët sot zgjedhin presidentin

Votuesit francezë sot do të zgjedhin presidentin e vendit, në zgjedhjet që po shihen si përcaktuese për të ardhmen e vendit.

Në raundin e dytë të zgjedhjeve, francezët do të zgjedhin ndërmjet kandidatit të qendrës, Emmanuel Macron, dhe kandidates të ekstremit të djathtë, Marine Le Pen.

Vendvotimet janë hapur në orën 8:00 dhe do të mbyllen në orën 17:00. Në disa qytete të mëdha, vendvotimet do të mbesin të hapura deri në orën 18:00.

Macron, 39-vjeçar, ka bërë fushatë me një platformë pro-evropiane, ndërkaq Le Pen, 48-vjeçare,ka thënë se dëshiron që Franca të largohet nga BE-ja dhe të braktisë eurozonën, transmeton REL.

Fushata zgjedhore ishte shumë e polarizuar, në të cilën Le Pen, e ka përshkruar kundërshtarin e saj, Macron si një elitist të butë ndaj fundamentalizmit islamik dhe kërcënimeve të tjera potenciale, ndaj vizionit të saj për shtetin francez.

“Strategjia e vetme e Le Pen që ta dëmtojë Macronin, ishte që ta përshkruante atë si një kandidat globalist, politikat e të cilit janë të rrezikshme për Francën”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Martin Michelot, zëvendësdrejtor i Institutit për politika evropiane, EUROPEUM.

Në sondazhet e fundit të opinionit, Macron ka qenë në epërsi, që prej përfundimit të raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale më 23 prill.

Përveç dallimeve në politikat e brendshme, dy kandidatët për president të Francës, kanë shumë dallime edhe në politikën e jashtme.

“Le Pen do të dëshironte bashkëpunim më të ngushtë me Rusinë në luftën kundër terrorizmit në Lindjen e mesme dhe gjithashtu, do të rihapte negociatat politike me Iranin, të cilat për shembull, janë në kundërshtim të plotë me qëllimet e Shteteve të Bashkuara... dhe mund të çojnë në një përplasje me Shtetet e Bashkuara dhe presidentin Donald Trump”, ka thënë Michelot.

Le Pen, gjithashtu, dëshiron që vendi ta braktisë NATO-n.

Në anën tjetër, politika e jashtme e Macronit, do të ishte vazhdimësi e kursit të presidentit të tanishëm, Francois Hollande, një socialist, në qeverinë e të cilit, Macron ka shërbyer si ministër i Ekonomisë.

“Macron është një politikan që kurrë në karrierën e tij nuk është marrë me politikën e jashtme... kështu që mund të prisni shumë parashikueshmëri në ekipin e tij”, ka thënë Michelot, duke shtuar një listë të pikave kryesore të politikës së Macronit, duke vënë theksin te “pozicioni i njëjtë i fortë karshi Rusisë, rëndësinë e respektimit të marrëveshjes së Minskut, kundërshtimin e aneksimit të Krimesë” dhe angazhimin e fortë për NATO-n”.

Presidenti francez ka një mandat pesëvjeçar. Në zgjedhjet e 7 majit, 48 milionë qytetarë të Francës kanë të drejtë vote. Dalja në zgjedhje pritet të jetë e lartë, ndërsa 77.8 për qind e votuesve të përgjithshëm kanë votuar në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale.